Trafik prostitucioni Shqipëri-Kosovë

TIRANË - Arrestimi i një prostitute kosovare 25-vjeçare ditën e djeshme, e cila pesë muaj më parë ishte dënuar nga Gjykata e Tiranës me dy muaj burg për “ushtrim prostitucioni”, duket se nuk është një prangosje rutinë. Një rrjet i fuqishëm prostitucioni, në itinerarin Shqipëri-Kosovë, Shqipëri-Maqedoni dhe Shqipëri-Mali i Zi dhe anasjelltas po hetohet prej kohësh nga strukturat hetimore. Burime të larta policore bënë të ditur për “Korrierin” se prej kohësh po hetohen persona, të cilët dyshohet të jenë përfshirë në një linjë trafiku, që konsiderohet një ndër më të vështirat dhe problematiket e kohëve të fundit. Sipas të njëjtave burime mësohet se, edhe pse kjo nuk është fusha e vetme e hetimit në këto tri linja, që së fundmi kanë rezultuar problematike, sidomos në trafikun e armëve, ajo është një ndër më prioritaret.
Kategoria
Nga burimet e rezervuara mësohet se mosha e femrave, rastet e të cilave tashmë janë marrë nën mbrojtje nga pjesa shqiptare në të tre këto shtete, është e vogël. Ato vijnë nga shtresa me probleme ekonomike, që “joshen” fillimisht për punë në Kosovë, Maqedoni apo në Mal të Zi, e më pas e shohin veten pjesë të një pazari për disa euro, për të përfunduar me ndonjë hotel. Por ka edhe nga ato femra, të cilat vihen në dijeni që në fillim për “misionin” që do të kryejnë. E duke u gjendur përballë vështirësive nga më të ndryshmet, shkojnë drejt vendeve të tjera, me ndërgjegje të plotë për zanatin që do të ushtrojnë sapo të mbërrijnë në destinacion. Deri tani, burimet bëjnë të ditur se janë disa prej tyre, të cilat janë mashtruar e që më pas janë marrë nën mbrojtje nga strukturat përkatëse.
Trafikantët
Duke u shprehur tepër të rezervuar në lidhje me personat dhe me ndarjen e roleve në këtë rrjet, burimet thonë se ka persona që janë nën hetim, të cilët përgjohen e vëzhgohen për veprimtarinë e tyre të dyshimtë. Prej disa muajsh, informacionet e sakta dhe dëshmi rrënqethëse të vajzave të dhunuara kanë shtyrë strukturat policore që të nisin hetimet, pa menduar që do të kishin me të bënin me rrjet dhe linja të konsoliduara prej kohësh.
Rrjetet e tjera
Por ky lloj trafiku duket se nuk është i vetmi nën hetim. Çdo lloj krimi po mbahet nën hetim dhe vëzhgim prej kohësh. Kohët e fundit, pas operacioneve të shumta policore, gjatë hetimeve paraprake pati dyshime se një pjesë e mirë e armëve të kapura në veri të vendit futeshin nga shtetet fqinjë, duke gjetur terren në vendin tonë. Përveç armëve e femrave, ndër problemet kyçe mbetet edhe trafikimi i lëndëve narkotike.
Kapet prostituta e shpallur në kërkim
Një 25-vjeçare nga Drenica e Kosovës u kap dje në Tiranë, për konsumim të veprës penale “ushtrim prostitucioni”. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, policia e kryeqytetit tha se “specialistët e Sektorit të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit mundësuan kapjen e Sadete H., 25 vjeçe, lindur dhe banuese në komunën Drenicë të Kosovës”. Shkak për arrestimin e saj, po sipas policisë, është bërë vendimi i Gjykatës së Tiranës, gjykatë e cila më 21 prill të këtij viti e ka dënuar me dy muaj burg për veprën penale të “ushtrimit të prostitucionit”.