E Diel, 1 Nëntor 2026

Mashtroi me vizat, prangoset i kërkuari

Thanas Moçka është dënuar vitin e kaluar nga gjykata e Shkodrës me 12 vite burg për mashtrim me pasoja të rënda


I arrestuari i djeshëm, ishte akuzuar se pajiste me viza në ambasadën sllovene persona të ndryshëm që i paraqiste si gazetarë


TIRANE- Prangoset në mesnatë i kërkuari për mashtrim me viza, i dënuar me 12 vite burg nga Gjykata e Shkodrës me 13 mars të vitit të kaluar. Thanas Moçka, 63 vjeç, i kërkuar nga Drejtoria e Policisë së Shkodrës, pasi ishte i dënuar nga gjykata e mësipërme, për veprën penale të mashtrimt me shuma të mëdha në bashkëpunim me persona të tjerë me pasoja të rënda.


Lajmi u bë i ditur dje zyrtarisht nga Drejtoria e Policisë së Tiranës nëpërmjet një njoftimi zyrtar në të cilin pohonte se i kërkuari ishte arrestuar rreth orës 02:00 të mëngjesit të djeshëm në banesën e tij në rrugën e Dibrës në afërsi të Medresesë. Moçka, 63 vjeç, me origjinë nga Vlora është akuzuar nga Prokuroria e Shkodrës dhe më pas dënuar nga gjykata përkatëse në vitin 2009, për akuzat e ngritura ndaj tij.


Në adresë të Moçkës në drejtorinë e Policisë së Shkodrës dhe në komisariate të tjera të vendit, kishin mbërritur denoncime të ndryshme, që e akuzonin atë për mashtrim, ndërsa iu merrte shuma të konsiderueshme personave të ndryshëm duke iu premtuar viza sllovene, nëpërmjet të cilave, "aplikantët" do të kishin mundësi të kalonin nga Sllovenia në drejtim të vendeve të BE-së. Në disa raste Policia ka vërejtur se aplikimet bëheshin sikur personat ishin gazetarë.


Pagesa për një aplikim dhe pajisje për vizë në ambasandën sllovene, do të kushtonte 1500 euro, ndërsa pas marrjes së vizës, personat mund të ishin të lirë të qarkullonin në vendet e BE-së. Lëvizja e lirë në vendet "Shengen" mundësohej nga fakti se Sllovenia ishte pjesë e vendeve të Bashkimit Europian, në vitin 2005, kur edhe u denoncua Moçka, bashkë me Alfons Ukën, 40 vjeç, nga Puka me banim në Tiranë.


Në momentin e arrestimit, Moçka ka bërë të paditurin për efektivët e Policisë, të cilëve iu pohoi se nuk kishte probleme me drejtësinë. Më parë 63- vjeçari nga Vlora, ishte arrestuar në vitin 2005, bashkë me Alfons Ukën të akuzuar se mashtronin duke premtuar sigurimin e vizave sllovene.


Në kohën e arrestimit të dy ata akuzoheshin për dhënie ndihme për kalimin e paligjshëm të kufirit dhe mbajtje pa leje të armëve të gjuetisë. Nga hetimet, policia ka konkluduar se dy të arrestuarit u siguronin viza sllovene klientëve të tyre, sikur punonin gazetarë në organe të ndryshe meidash.


I arrestuari i djeshëm akuzohej se për qëllime përfitimi i kishin dhënë ndihmë pesë personave duke siguruar vizat që do t'u mundësonin personave kalimin e tyre lirshëm në drejtim të Italisë dhe vendeve të tjera të BE-së.


Arrestohet për armëmbajtje pa leje


Kapet me pistoletë në Vaqarr, arrestohet 23- vjeçari banor i fshatit Gropaj. Erlind Kusi, 23 vjeç, u arrestua dje në mbrëmje nga grupet e Forcës së Posaçme, ndërsa gjatë një kontrolli të kryer ndaj tij, policia i gjeti dhe i bllokoi një pistoletë të markës "Zastava" të cilën e mbante pa leje.


Sipas burimeve të policisë, Kusi u kap dhe u ndalua nga grupet e forcës së posaçme gjatë një kontrolli, të kryer në një banesë në fshatin Gropaj, jo shumë larg banesës së tij.


Kusi, është nipi i një personi i cili ka qenë i dyshuar nga policia si i përfshirë në një seri vrasjesh të ndodhura në kreqytet, kryesisht në zonën e Kombinatit, gjatë periudhës së viteve 1997- 2007.


Burimet e policisë, pohuan dje për "Shekullin" se kontrolli në banesën e mësipërme është kryer pas dyshimeve të policisë për një konflikt në afërsi të banesës së të arrestuarit. Menjëherë pas mbërritjes në adresën e lajmëruar, policia nisi krehjen e zonës, si dhe verifikimin në banesën e dyshuar.


Pas verifikimeve dhe kontrolleve të kryera në disa banesa, policia gjeti dhe zbuloi se Kusi, ishte fshehur në një shtëpi jo shumë larg banesës së tij në fshat, ku edhe u gjet. Kusit iu vunë prangat në flagrancë nga policia duke i komunikuar atij arrestimin me akuzën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municoneve luftarake.


Në cilësinë e provës materiale, policia i bllokoi atij pistoletën "Zastava", bashkë me një krehër fishekësh, ndërsa ai u izolua në ambientet e policisë së kryeqytetit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›