Zbulohen kompanitë e fshehta të pasunarëve
Një shoqatë gazetarie publikon identitetet e mijëra njerëzve që fshehën pasuritë nëpër parajsat fiskale të botës, përfshirë zyrtarë qeverish dhe diktatorë. Mes të zbuluarve, edhe dy shqiptarë
ICJ, The Guardian, lEspresso
Miliona të dhëna për përdorim të brendshëm nga industria britanike e financave të fshehta u zbuluan dje nga një shoqatë gazetarësh investigativë, duke zbuluar identitetet e mijëra pasunarëve që kanë përdorur kompani fantazmë për të fshehur pasuritë e tyre. Mes emrave të zbuluar janë presidentë, plutokratë, vajza e një diktatori të njohur dhe një milioner britanik që akuzohet se ka fshehur pasurinë nga ish-bashkëshortja e tij. Miliona të dhëna të industrisë financiare ranë në dorë të një grupi gazetarësh. Mijëra emra të njerëzve që deri tani i mbanin të fshehta pasuritë e tyre, mes të cilëve, edhe dy shqiptarë, ish-zyrtarë të lartë, janë ekspozuar.
Të dhënat u përkasin ishujve Virxhin të Britanisë dhe pritet të shkaktojnë tërmet të vërtetë në të gjithë botën, tërmet të ngjashëm me atë që u shkaktua nga publikimi i kabllogrameve diplomatike amerikane dy vjet më parë. Vlerësohet se pasunarët e botës kanë rreth 32 trilionë dollarë të fshehura nëpër parajsa fiskale.
Në Francë, Jean-Jacques Augier, thesarmbajtësi i fushatës së Presidentit François Hollande, u detyrua të identifikojë publikisht partnerin e tij të biznesit, një qytetar kinez. Zbulohet se Hollande do të përfshihet në një skandal financiar, për shkak se ish-ministri i tij i buxhetit ka fshehur një llogari bankare në Zvicër prej 20 vjetësh dhe ka gënjyer në mënyrë të përsëritur për to.
Në Mongoli, ish-ministri i Financave të vendit dhe zëvendësparlamentari, thotë se ndoshta do të duhet të tërhiqet nga politika si pasojë e këtij zbulimi. Që të dy rezultojnë se kanë llogari bankare në ishujt Virxhin të Britanisë, llogari që zakonisht mbahen sekret.
Emrat janë zbuluar nga një projekt i Konsorciumit Ndërkombëtar të Gazetarisë Investigative, ICIJ, një organizatë me bazë në Uashington, në bashkëpunim me disa grupe mediatike ndërkombëtare. Projekti mund të rezultojë shumë dëmtues për besimin e të pasurve te parajsat fiskale, pasi tashmë ata nuk mund të jenë më të sigurt se pasuritë e tyre do të mbahen të fshehura nga qeveritë apo fqinjët e tyre.
Mes klientëve të ekspozuar, është edhe Scot Young, një milioner bashkëpunëtor i oligarkut rus Boris Berezovski. Ai është në burg për mashtrim të gjykatës, pasi ka fshehur asetet nga ish-bashkëshortja e tij. Avokati i tij duket se ka autorizim për kontroll mbi një kompani në ishujt Virxhin me vlerë 100 milionë dollarë, kompani që po ndërton një bllok banesash në Moskë.
Një tjetër është mashtruesi i burgosur Achilleas Kallakis. Ai përdori kompani të rreme të fshehta për të marrë kredi prej 750 milionë sterlinash për blerje pronash nga disa banka të pakujdesshme në Britani dhe Irlandë.
Përveç britanikëve, janë edhe një listë e gjatë me zyrtarë qeverish dhe familjesh të pasura nga e gjithë bota që janë identifikuar, nga Kanadaja në SHBA, Indi, Pakistan, Indonezi, Iran, Kinë, Tajlandë dhe ish-vende komuniste.
Disa nga emrat e zbuluar janë:
Jean-Jacques Augier, menaxheri i fushatës elektorale të François Hollande në vitin 2012. Ai ka një kompani me bazë në Kajman.
Ish-ministri i Financave të Mongolisë. Bayartsogt Sangajav krijoi kompaninë Legend Plus Capital Ltd me një llogari bankare në Zvicër, ndërsa shërbente si ministër Financash i vendit të varfër nga viti 2008 deri më 2012-n. Ai thotë se ka vepruar gabim.
Presidenti i Azerbajxhanit dhe familja e tij, të njohur në Shqipëri si miq të Kryeministrit dhe me lidhje biznesi në vendin tonë. Një biznesmen i ndërtimit në këtë vend, Hassan Gozal, ka nën kontroll entitete të ndërtuara në emër të dy vajzave të Presidentit Ilham Aliyev.
Bashkëshortja e zëvendëskryeministrit të Rusisë. Bashkëshorti i Olga Shuvalovës, biznesmeni dhe politikani Igor Shuvalov, i ka mohuar akuzat për shkelje ligji në kompanitë e tij në parajsat fiskale.
Bashkëshorti i një senatoreje në Kanada. Avokati Tony Merchant depozitoi më shumë se 800 mijë dollarë në një trust. Ai i pagoi tarifat në para të thata dhe urdhëroi që komunikimi me shkrim të mbahet në nivele minimale.
Fëmija i diktatorit të Filipineve. Maria Imelda Marcos Manotoc, një guvernatore province, është vajza e madhe e ish-presidentit Ferdinand Marcos, i famshëm për korrupsion.
Koleksionistja më e pasur e Spanjës, baronesha Carmen Thyssen-Bornemisza, ish-mbretëreshë bukurie dhe e veja e miliarderit të çelikut Thyssen, përdori kompani në parajsa fiskale për të blerë piktura.
SHBA: Mes klientëve të parajsave fiskale janë: Denise Rich, ish-bashkëshortja e një tregtari të njohur nafte Marc Rich, i cili u fal në mënyrë të debatuar nga Presidenti Clinton për akuzat për evazion fiskal. Ajo pati investuar 144 milionë dollarë në një kompani të krijuar në ishujt Kuk.
Vlerësohet se më shumë se 20 trilionë dollarë janë të fshehura nëpër parajsa fiskale. Të dhënat e zbuluara u përkasin më së shumti ishujve Virxhin të Britanisë. Mikroshteti në Karaibe është selia zyrtare e më shumë se 1 milion kompanive.
Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe varet nga të ardhurat që krijohen prej tarifave të licencimit të kompanive në këtë pjesë të mbetur të Perandorisë Britanike, ndërsa avokatët dhe llogaritarët në Londër përfitojnë nga tregtia fitimprurëse si ndërmjetës.
Të dhënat e zbuluara përmbajnë më shumë se 200 gigabit informacione, të cilat përfshijnë më shumë se një dekadë transaksione ndërkombëtare. Të dhëna disponohen edhe për kompani në parajsa të tjera fiskale, si Singapori, Hong-Kongu dhe ishujt Kuk.
Mes biznesmenëve dhe zyrtarëve shtetërorë shqiptarë, të dhëna indirekte sugjerojnë se është Qipro vendi i parapëlqyer për të fshehur paratë. Burime nga grupi i gazetarëve ndërkombëtarë që kanë në dorë materialet, thonë për gazetën Shqip se vetëm dy janë zyrtarët me emra të ekspozuar nga këto dokumente. Emrat e tyre do të publikohen pas pak ditësh, pasi të përfundojë investigimi gazetaresk.
200 italianë në listë
Mes listës së 122 mijë kompanive të krijuara në parajsat fiskale, u zbuluan edhe emrat e dyqind italianëve. Mes tyre, një këshilltar në studion Tremonti, pirati i Telecom, një dinasti prodhuesish bizhuterish milaneze dhe dy profesionistë të bursës.
Një trust në ishujt Kuk, parajsë fiskale në Polinezi, ka për përgjegjës Gaetano Terrin, në atë kohë, këshilltar në studion Tremonti. Një kompani tjetër në ishujt Virxhin ka për pronar Fabio Ghionin, piratin e skandalit Telecom. Nj