Zbulohen radiogramet, roli i Alisë në masakrën e Tivarit

Ramiz Alia
Sipas dokumenteve, në mars të 1945-s, Ramizi ndodhej në Kosovë në krye të Divizionit V
Atëherë kur të gjithë menduan se e keqja ishte shporrur, kur shqiptarët më në fund do të ishin të lirë, atëherë do të ndodhte dhe një nga tragjeditë më të mëdha në Ballkan: masakra e Tivarit. Kanë kaluar 67 vjet që nga ajo pranverë e ftohtë, kur mijëra shqiptarë nga Kosova do të gjenin vdekjen, rrugës për në frontin e Perëndimit, ku gjoja do të luftonin krah Ushtrisë Jugosllave për çlirimin nga gjermanët. Një ngjarje e hidhur, e cila ende nuk është zbardhur deri në fund. Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar është libri i historianit Uran Butka, i mbështetur financiarisht nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, që tenton ti japë përgjigje pikëpyetjes që prej dekadash rri mbi këtë ngjarje. Ndonëse kanë kaluar kaq shumë vite, ende nuk dihet numri i saktë i shqiptarëve që humbën jetën në këtë masakër, megjithatë, mbi bazë të përllogaritjeve, duke u mbështetur në dokumente tashmë publike, numri i viktimave, i atyre që u zunë në pusinë e Tivarit dhe të pushkatuar e të vdekur gjatë rrugës, shkon nga 2947-3447. Por, mbi të gjitha nuk janë zbuluar arsyet pse. Masakra e Tivarit, apo më gjerë, tragjedia e Tivarit, është një nga plojat më të mëdha, më të përgjakshme dhe më të pabesa, kryer ndaj shqiptarëve. Ky libër është një sprovë për të ndriçuar këtë masakër me përmasa ballkanike, jo vetëm për të zbuluar të vërtetën, po edhe sepse akti i parë i kësaj tragjedie, ku u masakruan dhe u vranë me mijëra shqiptarë të pafajshëm, u luajt brenda territorit të Shqipërisë, thotë autori Uran Butka në librin e tij, i cili tashmë i është shtuar vitrinës së librit. Në faqet e tij, Butka përmes dokumenteve hedh dritë mbi rolin që ka luajtur Ushtria Nacionalçlirimtare e Shqipërisë në rekrutimin e burrave të Kosovës, në propagandën që kanë bërë për ti bindur, pastaj në çarmatosjen dhe dërgimin drejt kasaphanës, sipas planit të jugosllavëve për eliminimin e tyre. Butka na sjell dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit dhe jo vetëm, sipas të cilave në atë periudhë në Kosovë vepronin dy divizione shqiptare, të cilat morën pjesë në këtë aksion, si dhe në shtypjen e revoltave të reaksionarëve kosovarë kundër Ushtrisë jugosllave. Divizione këto, që drejtoheshin nga Ramiz Alia e Rahman Parllaku. Dokumente që përgënjeshtrojnë thëniet e Alisë, se në atë periudhë ai gjendej në Bosnjë. Për këtë arsye kemi shkëputur nga libri disa pasazhe, ku vërtetohet pikërisht prania e Alisë në Kosovë, në pranverën e 1945-s. al.mi
Pjesë nga libri
Përgatitja e masakrës së Tivarit

Historiani Uran Butka
Pasi u vendos regjimi ushtarak në Kosovë, u bë mobilizimi i dhunshëm ushtarak. U rekrutuan thuajse 50 mijë shqiptarë, kryesisht të moshës së re. Urdhrin për mobilizimin e shqiptarëve dhe dërgimin e tyre për plotësimin e armatave të Ushtrisë jugosllave, e dha Shtabi Suprem i Armatës Jugosllave.
Mobilizimi u krye nën drejtimin e Shtabit Operativ të Kosmetit dhe u shoqërua me masa të rrepta policore, si marrja me dhunë, burgosja apo ekzekutimi përpara familjeve, kur shqiptarët nuk pranonin. U arratisën me qindra shqiptarë të Kosovës në vende të fshehta e në male, u bashkuan me formacionet luftarake të djathta, ose kaluan kufirin për në Shqipëri e Greqi.
Lind pyetja: Përse u mobilizuan mijëra shqiptarë për të luftuar kundër gjermanëve (!) kur nuk ishte e nevojshme, kur ata nuk ishin ushtarë të rregullt, të stërvitur e të armatosur dhe lufta kundër trupave gjermane në Kosovë kishte përfunduar me kohë, madje dhe në Jugosllavi ishte drejt përfundimit? Përse duheshin mobilizuar me mijëra rekrutë të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare dhe përse duheshin dërguar në Srem apo në bregdetin e Adriatikut?
Sipas gjithë dokumentacionit që disponojmë, ky mobilizim dhe kjo degdisje e rekrutëve shqiptarë nga Kosova kishte për qëllim largimin e meshkujve të aftë për luftë dhe eliminimin e tyre fizik, dobësimin e rezistencës shqiptare, ripushtimin e Kosovës dhe pamundësinë e të drejtës për vetëvendosje e shkëputje, premtuar nga PKJ e Titos gjatë luftës.
Sekretari i Komitetit Krahinor për Serbinë, Bllagoje Neshkoviç, duke analizuar gjendjen në Kosovë, theksonte: Ju, në Kosovë e në Rrafshin e Dukagjinit, nuk keni njeri që nuk ka pushkë dhe këta njerëz në çdo rast mund të çohen në kryengritje… Populli nuk është me ne. Po e shohim se shqiptarët në numrin më të madh janë kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare.
Të njëjtën gjë konstatonte dhe Azem Hajdini.
Dërgimi i një numri kaq të madh të rekrutëve shqiptarë nga Kosova dhe Metohija për plotësimin e qendrave të njësive ushtarake jashtë Kosovës, duhej kuptuar si nevojë për izolimin e tyre, si masë preventive për pengimin e kryengritjes dhe të aksioneve që krerët e tyre parashihnin ti ndërmerrnin gjatë pranverës së ardhme.
Me vendosjen e administrimit ushtarak në Kosovë, Jugosllavia po përgatitej ushtarakisht dhe politikisht, por edhe me ndihmën e politikës antikombëtare të qeverisë së Tiranës dhe të formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë në Kosovë, ta riokuponte Kosovën. Kjo gjë kishte hasur në reagimin luftarak dhe qëndresën e forcave kombëtare të Kosovës. Për ta shfryrë këtë rrezik kundërshtues, qarqet politike dhe ushtarake të Jugosllavisë hapën valvulet për ta nxjerrë jashtë Kosovës dhe për të likuiduar pjesën më të re dhe më të aftë për luftë të popullsisë së saj, sipas një skenari të parapërgatitur…
Natyrisht, mobilizimi i rekrutëve të rinj për në Frontin e Adriatikut nuk do të ishte arritur nga ana e autoriteteve ushtarake, po të mos përdorej, veç dhunës, edhe propaganda, edhe mashtrimi. Pas humbjeve tragjike me Brigadën VII kosovare, shqiptarët nuk mund të gënjeheshin për së dyti se do të mobilizoheshin për të luftuar në front kundër gjermanëve. U përdor një taktikë tjetër, që gjithsesi zuri vend dhe u besua: Të mobilizuarit do të shkojnë në Shqipëri, se i ka thirr Enver Hoxha.
Më vonë është bërë tradhtia e dytë, thuhet në proklamatën e shtabit të LLTSH. U përpoqën që prapë të tubonin ushtarë me vullnet, por me vullnet askush nuk u shkoi, sepse populli ishte djegur një herë. Tashti u thanë ndryshe: Këta ushtarë do të shkojnë për në Shqipëri, po i kërkon Enver Hoxha. Ia goditën telin. Kosovarët e pafat janë të gatshëm që për Shqipërinë të japin çdo gjë, edhe jetën, edhe për këtë u ngutën në brigada me armët e veta. Por tradhtia nuk vonoi, doli në shesh pas disa ditësh. Ua morën pushkët dhe i hodhën pas telave, në kazermat e Prizrenit, të cilat i kthyen në llogore të koncentrimit, më të ndyra se ato të kohës së okupimit fashist. Pas disa ditësh i zgjodhën dhe i therën në mënyrën më gjakësore njerëzit më të mirë, të etiketuar elementë reaksionarë fashistë. Pasi shumica mori tuberkulozin dhe sëmundje të tjera nga betoni i ftohtë i kazermave, i nisën në drejtim të panjohur.
Ndihmesën më të madhe për rekrutimin e shqiptarëve, por edhe për dorëzimin e qindra dezertorëve, që iknin nga Ushtria jugosllave dhe dorëzoheshin me mirëbesim tek brigadat e batalionet e Divizioneve V dhe VI të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë, e kanë komandat e këtyre divizioneve e brigadave të Ushtrisë shqiptare, që ishin nën u