Zbulohen rrënoja të hershme në Xhaminë e Plumbit
Anila Dushi
Punimet sistemuese para Xhamisë së Plumbit në Shkodër kanë nxjerrë rrënojat e një tjetër xhamie që ka ekzistuar para saj. Ka qenë Myftinia Shkodër që ashtu si çdo vit bën pastrimin e territorit të Xhamisë së Plumbit, monument kulture që funksionon edhe si objekt kulti për praktikantët myslimanë.
E ndërsa gërmonin në sheshin në pjesën e parme të saj, janë ndeshur mure, themele dhe pjesë të një xhamie të vjetër. Myftiu i Shkodrës Imam Muhamet Sytari, i pranishëm në vend shprehet se gjatë punimeve për rregullimin e sistemimin e vakëfit të Xhamisë së Plumbit janë zbuluar pjesë të një tjetër objekti kulti, të xhamisë së lagjes Qafë në Shkodër.
Kjo xhami ka qenë e ndërtuar rreth 300 vjet më parë dhe i përket trashëgimisë islame në Shkodër. Ne po punojmë për ta nxjerrë të gjithën, për ta sistemuar dhe për ta bërë të gatshme për ekspozim pasi ajo është një pjesë e rëndësishme e historisë islame dhe trashëgimisë së saj. Kjo xhami ka qenë objekt kulti për besimtarët e lagjes Qafë deri në rrënimin e saj për arsye që nuk dihen.
Në vitin 1773, afër saj u ndërtua Xhamia e Plumbit nga të paktat të ndërtuar në stil otoman, ndryshe nga shumë të tjera që janë të stilit arab. Ajo ka statusin e monumentit të kulturës dhe funksionon akoma si objekt kulti, ndërsa më 16 nëntor 1990 ajo rihapi dyert për besimtarët pas një periudhe gati çerek shekullore kur vendi zyrtarisht u shpall ateist dhe u ndalua praktikimi i fesë.
Si territor ku ngrihet një Monument Kulture i kategorisë së parë siç është Xhamia e Plumbit, do duhet që specialistët e Monumenteve të Kulturës të bëjnë ekspertizën e rastit dhe të shprehen për këtë zbulim.