E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohen varre të hershme në Rozafë

Dalin në dritë varre të hershme në Kalanë e Rozafës. Para pak ditësh, ekspedita shqiptaro-polake ka bërë zbulimin e varreve që i përkasin shekullit të XVI-të.

Tashmë Rozafa është kthyer në vëmendje të specialistëve jo vetëm shqiptarë, por edhe të huaj.

Gërmimet arkeologjike në këtë zonë kanë filluar pas 30 vjet ndërprerjesh. Ato janë përqendruar në dy zona, atë të Tabakëve poshtë kalasë buzë lumit Drin dhe sipër në oborret e kalasë së lashtë të qytetit verior.

“Aktualisht jemi akoma në punimet e periudhës së gjurmëve otomane, ndërkohë që në vazhdim do të zbresim më poshtë duke u ballafaquar me periudhat veneciane për të vijuar me ato mesjetare, antike, ilire si dhe të tjera të periudhave të mëhershme që e kanë shoqëruar në vite këtë rajon”, nënvizon arkeologu Saimir Shpuza.

Grupi i ekspeditës shqiptaro-polake do të vijojë të qëndrojë në Shkodër deri më datë 6 qershor. Për këto gërmime arkeologjike është nënshkruar një kontratë 5-vjeçare midis Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Parkut Arkeologjik Shkodër, Bashkisë Shkodër dhe Universitetit “Luigj Gurakuqi”, ndërsa financimet do të mundësohen nga Ministria e Turizmit dhe Ambasada Polake në Tiranë.

Gërmimet që sapo kanë filluar mendohet se do të përfshijnë gjithë zonën përreth kalasë Rozafa dhe zonën brenda saj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›