E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e Chelseat!

Emri i Chelseat u shkrua në histori të Ligës së Kampionëve. Pas investimeve milionëshe, skuadra londineze ia doli ta shijojë për herë të parë këtë trofe, që prej ekzistimit të saj. Trajneri Roberto Di Matteo dhe sulmuesi Didier Drogba nuk dinë se si t’i përshkruajnë ndjenjat që i përjetuan, pas fitores historike ndaj Bayern Munichut.

Chelsea e shkroi historinë të shtunën mbrëma, duke e fituar trofeun e Ligës së Kampionëve për herë të parë, që prej ekzistimit të saj.

Vendosmëria e veteranëve si Lampard, Drogba, Terry, Malouda e Cech për ta fituar këtë trofe të çmueshëm para se ta mbyllin karrierën e suksesshme, e bëri të veten.

Përkundër faktit se patën një fillim dizastër të sezonit, Blues e mbyllën atë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Arritja e trajnerit Roberto Di Matteo, i cili e zëvendësoi portugezin Andre Villas-Boas, solli freski në radhët e klubit të miliarderit rus, Roman Abramovich, i cili në Allianz Arena u gëzua më shumë se kurrë, pasi iu realizua ëndrra.

Natyrisht, më së i lumtur për këtë arritje është trajneri italian, i cili, përkundër faktit se ishte pa përvojë, ia doli ta sjellë në Stamford Bridge trofeun më të çmueshëm të futbollit evropian për klube.

“Nuk më kujtohet se çka kam menduar, por jam emocionuar dhe kam filluar të qaj. Ishin tre muaj intensivë, të cilët u mbyllën me një rezultat të madh të arritur sonte. Jemi të lumtur për këtë fitore dhe që mund ta marrim kupën në Stamford Bridge. Jemi po ashtu të lumtur se do të luajmë në Champions edhe vitin tjetër. Sot patëm vështirësi, pasi që kishim disa mungesa dhe patëm lojtarë që nuk ishin në maksimum. E përdorëm tërë kualitetin tonë, për ta fituar këtë takim”, deklaroi për Sky Sport, Di Matteo, i cili është i pavendosur për të ardhmen.

Për heroin Didier Drogba, i cili e shënoi penalltinë vendimtare dhe golin e barazimit gjatë lojës, ky ishte realizimi i një ëndrre.

“E prisnim këtë fitore qe disa vite dhe më në fund ia dolëm ta ngremë këtë kupë lart. Nuk jemi dorëzuar kurrë dhe kemi luftuar gjithmonë. Është një ndjenjë fantastike, realizimi i një ëndrre”, deklaroi sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, i cili ua kushtoi këtë fitore të gjithë trajnerëve dhe zyrtarëve të klubit, me të cilët ka punuar. As Drogba nuk deshi të flasë për të ardhmen e tij.

Mediat britanike e kanë ngritur në qiell skuadrën e Chelseat, e cila ishte ‘ambasador’ i sportit të këtij vendi në këtë edicion.

Heynckes: Chelsea ishte ekip me fat

Trajneri i Bayern Munichut, Jupp Heynckes thotë se Chelsea ishte ekip me fat, pasi e mundi ekipin e tij pas ekzekutimit të penalltive, në finale të Ligës së Kampionëve.

Ekipi i trajnerit gjerman dominoi në posedimin e topit, por bavarezët lëshuan disa raste, para se ta shënonin golin me Thomas Mullerin.

Por, vetëm pas pak minutash u kundërpërgjigj skuadra angleze me golin e Didier Drogbës, ndërsa në ekzekutimin e penalltive, Bayernit i mungoi fati.

“Chelsea ishte ekip me fat sot. Ata luajtën në mënyrën që dinë ta bëjnë më së miri dhe unë dua t’i përgëzoj për paraqitjen e tyre. Ata luftuan, në aspektin defanziv ishin mjaft të organizuar dhe kishin fat që e fituan Championsin”, tha ai.

- “Për ne, kjo është një humbje që dhemb. Ne nuk mund ta fajësojmë Chelsean për mënyrën se si e bëri lojën e saj. Kur ke disa raste, duhet ta krijosh avantazhin. Ne nuk e bëmë sot dhe kjo është arsyeja se pse humbëm. Duhet ta fajësojmë veten, pasi lëshuam rastet. Pastaj, kur shënon në minutën e 83-të, duhet të dish ta ruash atë avantazh. Ne nuk ditëm. Penalltitë janë lotari, këtë e dimë nga historia”, përfundoi Heynckes.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›