E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet Ambasadorja e Podestës për zgjedhje shqiptare

Bay Fang ish punonjëse e DASH me urgjence në Tiranë. Detyra, konflikt interesi?!

BayFang_foto
Nga Muhamed Veliu Top-Channel

Podesta Grup e cila lobon në Washington për llogari të qeverisë shqiptare, e paguar deri më tani mbi 1 milion euro nga paratë e takspaguesve shqiptare, ka sjellë si përfaqësuese të saj një ish zyrtare të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit. Top-Channel ka zbuluar se Bay Fang e cila ka punuar që prej vitit 2011 deri në Maj të 2013tës si zëvendës asistente në byronë e Europës dhe Euroazinë ka mbërritur në Tiranë një javë më parë. Lajmin e punësimit të saj prej Podesta grup i ka kushtuar një shkrim të veçantë revista amerikane Foreign Policy me titull Podesta grup rrëmben zëvendës asistentet e departamentit të shtetit. Nga artikulli mësohet se Fang e ka lënë departamentin amerikan në fund të muajt Maj dhe ka nisur punën më datën 3 Qershor për Podesta Grup. Dhe menjëherë disa ditë më pas ajo dërgohet me urgjencë në Shqipëri në një kohë kur kishte nisur fushata elektorale dhe marrëdhëniet mes Kryeministrit Berisha dhe kryediplomatit amerikan Arvizu kanë hyrë në një klimë të acartë. Ardhja e saj në Tiranë ngre një sërë pikëpyetjesh për Bay Fang dhe vetë Departamentin Amerikan të Shtetit si ish punëdhënës i Fang. Detyra që ka marrë Fang nga punëdhënësi i ri Toni Podesta është një konflikt interesi dhe në kundërshtim me ligjet amerikane për nëpunësit shtetëror që lënë detyrat shtetërore. Ky ligj njihet si ”one-year cooling-off period Një periudhë prej një viti ftohje. Le ti referohemi ligjit që thotë: Një vit ndalese përfaqësimi, ndihme apo këshillim të qeverive apo partive politike, të huaja në praktikat ndërkombëtare me qëllim influencimin e një vendimi të marrë nga agjencitë e departamentit amerikan. Por nuk ka ndalesë në këshillimin e një korporate ndërkombëtare për qëllime komerciale. Ky kufizim, i ashtuquajturi  Një periudhë prej një viti ftohje përgjithësisht kufizon kontaktet me agjencinë, duke përfshirë kontaktet, që lidhen me legjislacionin e politikave, vendimet e personelit, ose ndonjë çështje tjetër zyrtare. Kjo është e specifikuar në ligjin 18 U.S.C. 207(d), ku është sanksionuar qartësisht se i ashtuquajturi  Një periudhë prej një viti ftohje përfshin ish sekretarët amerikan të shtetit dhe të gjithë ish punonjësit e nivelit të lartë ku padyshim kjo kategori përfshin edhe Bay Fang, e cila ka punuar në një seksion që ka patur nën mbikëqyrje edhe Shqipërinë në Departamentin e Shtetit, ndërsa tani punon në Shqipëri për një krah politik te angazhuar në një betejë zgjedhore. Pikërisht për këtë konflikt të pastër interesi të Bay Fang, Top-Channel i kërkoi një prononcim disa ditë më parë zyrës së shtypit në departamentin amerikan përfshi Filip Riker Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Jonathan More drejtor për Europën Qendrore dhe jugore dhe ambasadorit Aleksandër Arvizu. Deri tani Departamenti i Shtetit nuk i është përgjigjur interesimit tonë, ndërsa në mënyrë jo zyrtare është thënë se kjo çështje po diskutohet. Gjithashtu edhe vetë protagonistja e këtij lajmi Bay Fang ende si ka dhënë përgjigje kërkesës tonë për një intervistë në lidhje me këtë çështje. Zonja Fang është parë në hotelet luksoze të Tiranes, ku ka vendosur kontakte me përfaqësues të misioneve të huaja të vëzhgimit si edhe me korrespondentët e shtypit ndërkombëtar, në kuadër të detyrës si përfaqësuese e Podestes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›