E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet bruceloza në kockat antike të Butrintit

Shkencëtarët amerikanë bëjnë të ditur se studimi i kryer mbi eshtrat mesjetare të gjetura në jug të Shqipërisë ka zbuluar gjurmët e sëmundjes infektive që prek njerëzit që hanë produktet blegtorale, brucelozës.

Zbulimi u publikua në Gazetën amerikane të Antropologjisë Fizike, ku për herë të parë pohohet se sëmundja e njohur si bruceloza, ka qenë prezente në Shqipëri që të paktën nga periudha e Mesjetës, shkruan AFP.

Sëmundja e kafshëve, bruceloza bie zakonisht në zonat rurale të Mesdheut dhe infekton njeriun nëse ky i fundit konsumon produkte si djathë, qumësht apo mishin e kafshëve të sëmura.

Sëmundja shkakton simptoma si të gripit, temperaturë, dobësi trupore, humbje në peshë, bën të ditur Organizata Botërore e Shëndetit. Përkeqësimi i saj shkakton dëmtime në kocka deri në tuberkuloz.

Kockat që u morën në studim, vinin nga qyteti antik i Butrintit, dyshohet se u përkasin një kolonie romake, ose banorëve të Perandorisë Bizantine, qytet që në Mesjetë u braktis për shkak të një përmbytjeje të madhe.

Dy skeletet besohet se janë të dy meshkujve adoleshentë të shekullit X apo XIII, ndërsa gjurmët e sëmundjes u gjetën në rruaza.

Studiuesit nga Universiteti i Michigan ishin pjesë e një grupi arkeologësh që morën qëllimisht kockat për t’i analizuar me metodat më të fundit mjeko-ligjore të ADN-së.

Nga analizat, testi për tuberkuloz rezultoi negativ, ndaj ata përsëritën testin për brucelozën.

Meqë kockat e adoleshentëve kishin dëmtime nga sëmundjet, nga analizat e kryera nuk rezultuan dëmtime nga tuberkulozi por nga bruceloza, rezultatet e së cilës dolën pozitive.

David Foran, drejtuesi i kërkimeve shpjegon se ky zbulim është mahnitës. “Të gjesh diçka krejt të re në diçka krejt të vjetër, te mahnit ky fakt”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›