Zbulohet në Bylis shtatorja e luftëtarit
Arkeologët duket se kanë shumë për të zbuluar, atë çfarë është fshehur nën qytetin antik të Apolonisë. Por dje ka qenë thjesht rastësia ajo që ka nxjerrë në sipërfaqe shtatoren e rrallë që sipas veshjes duket se i përket një luftëtari. Zbulimin këtë radhë nuk e ka bërë ndonjë ekspeditë, por punëtorët e një firme private që po punonin për rikonstruksionin e rrugës hyrëse që të çon në Parkun Arkeologjik të Bylisit. Punëtorët fatmirësisht kësaj radhe kanë pezulluar menjëherë punën dhe kanë lajmëruar për zbulimin e rrallë që ata kishin nxjerrë në sipërfaqe, ndërkohë që hiqnin dherat për të shtruar asfaltin e rrugës. Shtatorja e rrallë e përmasave të mëdha është zbuluar mesditën e djeshme në rrethinat e qytetin antik të Bylisit. Punimet janë ndërprerë menjëherë, ndërsa specialistë të parkut arkeologjik të njoftuar nga punonjësit kanë shkuar në vendin ku doli në dritë kjo shtatore, për të bërë vëzhgimet e para rreth zbulimit të rastësishëm. Sipas drejtorit të Parkut Arkeologjik të Bylisit, Bashkim Vreka, që ka qenë ndër të parët që ka mbërritur aty ku është bërë zbulimi, deklaron se shtatorja është në gjendje të mirë dhe nga vëzhgimi sipërfaqësor i saj është konstatuar se ajo ka përbërje guri gëlqeror. Në fakt shtatorja është e dëmtuar në njërën këmbë dhe është nxjerrë në sipërfaqe pa kokën dhe krahun e majtë të saj. Siç shihet dhe nga fotoja, ajo paraqet një trup pa kokë me një veshje luftëtari është e vendosur në një gur sikur ka pozuar për artistin që e ka bërë. Drejtori Vreka ka pohuar ndër të tjera se për këtë zbulim do të kryhen studimet përkatëse për të përcaktuar saktë periudhën së cilës ajo i përket, si dhe elementë të tjerë të saj. Ndërkohë që puna për rikonstruksionin e rrugës në atë segment ku u gjet shtatorja është pezulluar, do të mblidhet një staf arkeologësh për të vazhduar gërmime të specializuara, për të gjetur edhe kokën e shtatores. “Ky është një zbulim i rëndësisë së veçantë, që tregon se në të njëjtin vend mund të ketë edhe statuja të tjera të këtij lloji, duke përfshirë edhe kokën e shtatores së zbuluar”- tha drejtori Vreka. Ekspedita shqiptaro-franceze do të rinisë nga puna sipas projekteve të miratuara vetëm një ditë më parë nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë më 1 maj. Ajo udhëhiqet nga prof. dr Skënder Muçaj dhe Shkolla Franceze e Athinës e përfaqësuar nga prof. P. Chevalier. Por zbulimi i djeshëm, që ishte krejt i rastësishëm, mbase do të përshpejtojë mbledhjen e ekspeditës për të vijuar gërmimet në këtë zonë arkeologjike. Gjatë gërmimeve shqiptaro-franceze në këtë zonë, për zbulimin e qytetit ilir, janë zbuluar disa shtatore me vlera të mëdha arkeologjike që i përkasin shekullit të dytë të erës sonë (pas Krishtit). Shtatoret e gjetura vite më parë janë të punuar në mermer dhe janë ndër më të rrallat zbulime të deritanishme në Bylis,
Gjithashtu, ndër zbulimet që konsiderohen të një rëndësie të veçantë në këtë zonë janë dhe një punishte e madhe e vajit të ullirit, monumenti i Terencianit dhe një punishte tjetër për shkrirjen e qelqit, që janë nxjerrë në dritë gjatë ekspeditës së ndërmarrë nga një grup arkeologësh shqiptarë dhe francezë dy vjet më parë.
Bylisi, një nga qytetet më të mëdha ilire, u zhvillua në shek. IV p.e.s. si kryeqendër e fisit ilir të bylinëve. Ai kishte një sipërfaqe prej 30 ha, të rrethuar me mur të mbrojtur nga 7 hyrje e 7 kulla. Në shek. III p.e.s. qyteti u fuqizua ekonomikisht, kohë kur ndërtohet agoraja (qendra e qytetit) prej 4 ha, ku ngrihet teatri me rreth 9000 vende, stadiumi, gjimnazi etj. Në shek. I e.s. Bylisi u kthye në koloni romake. Në shek. IV të e.s. qyteti rrethohet me mure të fuqishme dhe më pas në shek. V-VI u bë një qendër e rëndësishme peshkopale. Për këtë flet zbulimi i gjashtë bazilikave, dyshemetë e të cilave janë shtruar me mozaikë me motive paleokristiane të një cilësie të lartë.