Studentët e Farmacisë, nis regjistrimi për praktikën profesionale
Nis regjistrimi për praktikën profesionale për studentët e diplomuar në Farmaci.
Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë (UFSH), që do të jetë edhe institucioni përgjegjës për realizimin e praktikave profesionale, njofton të gjithë të diplomuarit në degën Farmaci nga Universiteti i Tiranës dhe universitetet jopublike të akredituara nga MASH, që të paraqiten pranë zyrës qendrore të UFSH për t’u regjistruar në kryerjen e praktikës profesionale. Sipas njoftimit të UFSH-së, praktika profesionale do të kryhet nën drejtimin e një farmacisti me jo më pak se tre vjet përvojë profesionale. Ndërsa lista e farmacistëve dhe farmacive që plotësojnë kushtin për të pranuar dhe drejtuar praktikantë është e afishuar në zyrën UFSH. Ndërkaq, kandidati praktikant që ka zgjedhur dhe është pranuar për praktikë profesionale nga farmacisti dhe farmacia, duhet të paraqesë në zyrën UFSH dokumentet e mëposhtme: diplomën dhe listën e notave origjinale; dokument identifikimi; 3 fotografi (3x3.5 cm); mandat pagesën në shumën 6000 lekë (në numrin e llogarisë 401069623 pranë Bankës Kombëtare Tregtare (BKT) ose në numrin e llogarisë 0100805804 pranë Bankës Raiffaisen.) Kandidati duhet të paraqitet personalisht në momentin e regjistrimit, sepse duhet të plotësojë vetë kërkesën për regjistrim dhe vetëdeklarimin e praktikantit (sipas formularëve tip që do të gjeni në zyrën UFSH). Marrëdhënia midis praktikantit dhe drejtuesit të praktikës do të rregullohet sipas kontratës tip, një kopje e së cilës duhet të dorëzohet në zyrën UFSH-së në momentin e fillimit të praktikës. Në bazë të legjislacionit shqiptar farmacisti është një profesionist i shëndetësisë që ushtron një profesion të rregulluar. Si rrjedhojë, për të ushtruar profesionin e farmacistit duhet të kesh përfunduar një program të akredituar studimi. Në bazë të ligjit “Për profesionet e rregulluara”, neni 7, personi që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit dhe/ose kualifikime profesionale në atë profesion, të cilat vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Në rastin e farmacistit, kursi i kualifikimit është një cikël unik të paktën 5-vjeçar. Sipas ligjit nr. 9323, datë 25.11.2004 “Për Barnat dhe Shërbimin farmaceutik”, neni 3, pika 29 “Farmacist” është profesionisti i diplomuar si farmacist, me një cikël unik të paktën 5-vjeçar (Diplomë e Integruar e Nivelit të Dytë). Njihen, në të njëjtën masë, diplomat e lëshuara nga Universiteti i Tiranës, dega Farmaci, sipas programit të mëparshëm të miratuar nga Ministria e Arsimit dhe diplomat e huaja në farmaci, të ekuivalentuara nga kjo Ministri.
Sipas UFSH-së, studentëve që kanë mbaruar studimet në vitin 2010, përveç praktikës profesionale, do t’u duhet të kryejnë dhe provimin e shtetit, kalimi i të cilit u jep të drejtën të regjistrohen në një urdhër profesional. Vetëm në këtë moment ata kanë drejtën që të ushtrojnë profesionin e farmacistit.