E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zbulohet në Kili gjitari më i vogël i epokës së dinosaurëve

Në zemër të Patagonisë kiliane, shkencëtarët kanë zbuluar një fosil unik, mbetjet e një gjitari sa një mi, që ka jetuar krahas dinosaurëve rreth 74 milionë vjet më parë.

Krijesa, e quajtur “Yeutherium pressor”, peshonte vetëm 30-40 gramë, por ka një rëndësi të madhe shkencore, pasi përfaqëson gjitarin më të vogël të gjetur ndonjëherë në këtë pjesë të Amerikës së Jugut, e cila dikur ishte pjesë e superkontinentit Gondwana.

Fosili, që përmban një copë nofulle me molarë të ruajtur në mënyrë perfekte, u gjet në luginën Rio de Las Chinas, në rajonin Magallanes, rreth 3,000 km në jug të Santiagos. Sipas ekspertëve të Universitetit të Kilit dhe qendrës kërkimore Millennium Nucleus, ai mund të ketë vendosur vezë si platipi ose të ketë mbajtur të vegjëlit në qese, si kangurët.

Ashtu si dinosaurët me të cilët bashkëjetoi, “Yeutherium pressor” u zhduk papritur rreth 66 milionë vjet më parë.

Ky zbulim, i botuar në revistën Proceedings of the Royal Society B, hedh dritë mbi diversitetin dhe përshtatjet e gjitarëve të hershëm në fundin e periudhës Kretake.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›