Zbulohet një ekzemplar i rrallë ene romake në Berat

Jashtë mureve të kalasë së Beratit, në anën lindore të tij ndodhet kodra e Biftës. Në hapësirën e kompleksit të shërbimit, në pronësi të Kozma Nova, është zbuluar një enë prej qeramike me një vegje të vogël vertikale, që paraqet një kokë mashkulli, gjetje rastësore gjatë punimit dhe sistemimit të brezareve të tokës në faqen perëndimore të kësaj kodre ku shtrihet ky kompleks. Përmasat e enës janë: lartësia 17cm, gjatësia 14cm, gjerësia 10cm dhe trashësia e enës 0.8cm, raporton revista Milosao e Gazetës Shqiptare. Enët me formë dhe pamje humane u bënë popullore në periudhat klasike (480 p.e.s - 336 p.e.s) dhe helenistike (336 p.e.s - 27 e.s), por prodhimi i tyre pushoi në fillim të shek. I, duke filluar më pas në shek. II-III. Ato kanë qenë të njohura në të gjithë Perandorinë Romake. Zhvillimi i zejtarisë në shekujt e parë të erës sonë karakterizohet nga ruajtja e disa formave tradicionale të qeramikës, veglave të punës dhe zbukurimeve dhe nga futja e tipave të rinj në qarkullim në Perandorinë Romake. Kjo përcaktoi edhe një fizionomi të përgjithshme romake perandorake për kulturën materiale të kësaj periudhe, por që diferencohej për tipare të veçanta si vazhdim i kulturës qytetare ilire. Nga kjo pikëpamje, ajo mund të cilësohet si një kulturë provinciale ilire, duke qenë krijim i një etnosi të veçantë në kuadrin e Perandorisë Romake. ( Neritan Ceka, Muzafer Korkuti, Arkeologjia, shblu, Tiranë, 1998, f.395)
Ekzemplari i Beratit është lehtësisht i dallueshëm nga ato të prodhuara në provincat e tjera romake. Zakonisht në këto enë, bazamenti i tyre është forma rrethore e qafës nën portret, pra, rasti i Beratit është i rrallë. Trajtimi i syve nuk është i thellë dhe me linja të mprehta, madje sytë janë shumë të mëdhenj në raport me portretin. Gjithashtu nuk ka një përcaktim plastik në harqet e vetullave. Duke qëndruar brenda hapësirave të një realizimi të thellë, mjeshtri ka arritur të shpreh gjendjen shpirtërore edhe psikologjinë e portretit. Mendojmë se kemi të bëjmë me një punim lokal. Një tjetër detaj që e bën unik është trajtimi tek flokët që tregojnë tiparet karakteristike të mëtejshme në teknikat e prodhimit pas heqjes së pjesëve nga kallëpi, sepse ishte aftësia e mjeshtrit që me përdorimin e kallëpit ofronte sipërfaqen e modeluar. Gjatë hulumtimeve që kemi kryer deri tani, si në skulptura të rrumbullakëta por edhe në relieve, këtë lloj elementi të stilizuar nuk e kemi hasur në asnjë rast. Por natyrshëm lind pyetja: detaji i valëzuar që përdoret vetëm në pjesën e përparme të portretit duke mbuluar ballin, i cili zbret nga të dyja anët deri tek nofulla, janë modelim i flokëve apo ndonjë paruke a element tjetër që e bën portretin me një pamje të veçantë dhe disi të çuditshme? A mos vallë me anë të këtij detaji mjeshtri na e bën krejtësisht të dallueshëm në krahasim me portretet e tjera humane dhe do të na shprehë profesionin dhe personalitetin e personit që i është dhënë formë enës? Elementë të tillë mendojmë se mund ta vendoste një magjistrat (zyrtar i lartë, i zgjedhur, që drejtonte pushtetin ligjor, administrative dhe ekzekutiv në municipe dhe provincat e Republikës dhe Perandorisë Romake). Zakonisht portretet në këto enë janë shumë skematike dhe në të vërtetë më shumë komike se në shembullin tonë.
Gjatë gërmimeve të viteve 1973-1974 pranë mureve të periudhës qytetare ilire në pjesën e brendshme të tyre në kalanë e Beratit u zbuluan dy varre. Varrimet e bëra pranë mureve rrethuese të qytetit të lashtë të Beratit duhen lidhur, sikurse është vënë në dukje edhe më parë, me ritin pagan, sipas të cilit shpirtrat e fëmijëve të varrosur do të mbronin, bashkë me luftëtarët, kështjellat. (Hëna Spahiu, Qyteti Iliro-Arbëror i Beratit, Mihal Duri, Tiranë, 1990, f.123) Që qyteti i fortifikuar kështjellë ka patur nekropol kjo as nuk vihet në diskutim, sepse në antikitet nekropoli ndërtohet në të njëjtën kohë me qytetet si pjesë funksionale e planit urbanistik të tyre./Indeksonline./