E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet raporti. Dyshimet për KQZ, PS: Jo numërim elektronik

TIRANE - Partia Socialiste do të kundërshtojë sot në KQZ zbatimin e projektit të numërimit elektronik të votave për qarkun e Fierit. PS e konsideron si të dështuar testimin e parë të numërimit elektronik të realizuar në datën 13 prill në një palestër të kryeqytetit nga KQZ nga kompania spanjolle “INDRA”.

Socialistët, në një raport prej 11 faqesh, rendisin një sërë problematikash që u hasën gjatë testimit të parë. Raporti i firmosur nga sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri, cilëson së të papranueshëm rezultatin e testimit elektronik të projektit SEN, pasi lë shteg për abuzime. “Kemi të drejtë të besojmë se ndërkohë që po zhvilloheshin provat, është plotësisht e mundur që sistemi që po provohej të jetë ndryshuar apo modifikuar, këtë e përforcon dhe fakti se në të paktën 3 raste kur ngecte operatori i kontrollit të procesit, personeli i kompanisë mundej lirshëm të operonte në kompjuterin e kontrollit, skanimit apo regjistrimit, lehtësisht mund të kuptohej se operatorët për provë nuk ishin të trajnuar dhe që për fat të keq vëzhguesit nuk kishin mundësinë të shikonin çfarë veprimesh kryheshin”, thuhet në raport.

Po ashtu, kritikat e PS-së vijnë dhe për shpejtësinë e numërimit elektronik, që sipas tyre linte për të dëshiruar. “Prova e sistemit të numërimit nuk arriti të demonstrojë efektivisht që përdorimi i teknologjisë do të zvogëlonte kohën e nevojshme të numërimit. Përkundrazi, teknologjia dhe zgjidhja e ofruar nga kompania dhe pranuar nga KQZ-ja ishte më e ngadaltë”, thuhet në vërejtjet e PS-së. Ekspertët e PS-së shprehen se testimi i parë demonstroi se anëtarët e KZAZ-së mbajtën qëndrime të kundërta për situata të njëjta të vlerësimit të fletëve të kontestuara, çka sipas PS krijon mundësinë që ky fakt të krijojë probleme të tjera nga interpretimet politike.”Gjatë provave u konfirmua se dhe ky komision i KZAZ-së mori vendime të ndryshme për situata krejtësisht të njëjta, jo vetëm duke krijuar konfuzion, por duke hedhur hije të rënda dyshimi për mënyrën se si do të funksionojë në realitetin e Fierit, kur përballë KQZ në kushte ideale, perfekte e pa ngarkesa politike në Tiranë gabon!”, evidenton raporti i PS.

Dyshimet
Në raportin e firmosur nga sekretari i PS-së për Çështjet Zgjedhore thuhet se kompania IDRA shkeli ligjin, pasi në asnjë rast nuk u ofroi palëve rezultatin përfundimtar të numërimit elektronik. Po ashtu, sipas PS, kompania nuk pranoi të numërojë me dorë fletët e vlerësuara nga skaneri me argumentin që të mos prishej imazhi i kompanisë. “Është për t’u theksuar se në mënyrë verbale na u komunikua, në mënyrë të përsëritur, se është rënë dakord me kompaninë që të mos numërohen sot fletët e votimit, por në një kohe tjetër ‘për të mos prishur imazhin e kompanisë’. Në këtë situatë kemi të gjitha arsyet të besojmë se sistemi i numërimit elektronik që po provohet nuk është aspak i besueshëm, përderisa kompania ka bërë presion ndaj blerësit që të mos rrezikojë një provë të numërimit në prani të përfaqësuesve të partive, vëzhguesve apo mediave, sepse me siguri që do të rrezikonte dështimin, pavarësisht se është kontraktuar dhe është garantuar më tej dhe nga pyetje-përgjigjet midis kompanisë dhe KQZ”, thuhet në raportin e PS-së.

(er.nu/panorama/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›