Zef Brozi: Rilindja e PD-së nuk mund të bëhet duke u drejtuar me prapaskena nga Sali Berisha
Zef Brozi, ish- drejtues i Gjykatës së Kasacionit dhe një kritik i zëshëm i qeverisjes së kryeministrit në largim, Sali Berisha, në një shkrim të publikuar nga Shqiptarja.com, apelon anëtarët e PD që të bëjnë rilindjen e Partisë Demokratike pa Sali Berishën.
Ai thtoë se kjo do ishte në të mirën e Shqipërisë. Sipas Brozit, këto votime ishin një mundësi që dhe PD të çlirohet nga sundimi antidemokratik i Berishës.
Në mënyre shumë të qartë dhe me vizion europian e perëndimor, platformën e Rilindjes së PD, me një dashuri dhe idealizëm të admirueshëm e ka shprehur Bardhyl Ukcamaj në artikullin Për një Parti Demokratike post tranzicion.
Ky shkrim është botuar me 5 korrik në gazetën TEMA, në gazetën Illyria (në Nju Jork), në Respublica, Zëri i Shqiptarëve, Revistën Drini etj, si edhe ka gjetur pasqyrim të gjerë online dhe ka ngjallur interes të madh edhe në rrjetet sociale.
Kjo është platforma e vetme e botuar në shtyp deri më sot, ndonëse thjesht si një analizë e një niveli superior.
Unë ju bëj apel anëtarëve të Partisë Demokratike ta lexojnë me vëmendje dhe ti përgjigjen me votën e tyre programit dhe zgjidhjeve që parashtron Bardhyl Ukcamaj, një ndër drejtuesit më aktiv të Lëvizjes Studentore, bashkëthemelues i PD dhe ish drejtues i Forumeve Rinore të saj, një nga intelektualët e mirëshkolluar në SHBA dhe i respektuar edhe nga diaspora shqiptaro-amerikane.
Rilindja e PD nuk mund të bëhet duke u drejtuar me prapaskena nga Sali Berisha, as duke u përlotur për dorëheqjen e ish sundimtarit të saj, as duke u përbetuar për besnikërinë ndaj tij dhe për vazhdimësinë në rrugën e tij. Demokratët duhet të çlirohen nga përulësia tepër e padenjë ndaj unit dhe mitit për Berishën. Partia Demokratike është themeluar dhe duhet të rikthehet në parti të njerëzve të lirë.
Rilindja e PD nuk mund të bëhet duke zgjedhur me nxitim pasardhësin e emëruar nga Berisha, që do ishte thjeshtë maska e tij, shkruan Brozi./ep