INTERVISTA/ Një strategji për të nxjerrë në pension Berishën
Alastair Campbell, publicisti dhe krahu i djathte i ish-kryeministrit Tony Blair shprehet për JAVA mjaft i kënaqur me fushatën e fundit elektorale të Edi Ramës. E ndjeja që herët që gjithçka do shkonte mirë. Campbell konfirmon se Blair do të vijë së afërmi në Shqipëri për një projekt bashkëpunimi me qeverinë e re. Ai rrëfen sesi u kontaktua nga stafi i kreut socialist dhe sesi ndërtuan sëbashku platformën elektorale të Rilindjes
Nga Skender Minxhozi, JAVA
Shumë politikanë shqiptarë, por edhe media, u befasuan nga rezultati i zgjedhjeve. A mund të thuhet se ndodhi kështu edhe me ju?
E kam të vështirë të jap një gjykim për këtë fakt. Kisha një ndjesi që relativisht herët, se fushata po shkonte mirë, por ajo që nuk dija ishte nëse kjo tendencë pozitive për Edi Ramën, do të përkthehej në vota. Por fakti që sondazhet ishin ato që ishin, me mjaft diferencë mes palëve, fakti që Edi sa herë që flisja me të, më thoshte që fryma ishte shumë e mirë, më dha të kuptoj se zgjedhjet kishin marrë një drejtim të caktuar.
Besoj se kishte një ndjesi se Berisha po fillonte ta humbte fillin. Dhe mesazhi për ndryshimin, është gjithmonë një element shumë i fuqishëm në një proces elektoral. Pra, mendoj se kjo situatë nuk më kapi krejtësisht në befasi. Unë mendoja se Rama do të fitonte dhe se do të ishte një fitore e pastër. Ajo që dua të them, është se edhe kur isha në Angli, kur bëja fushata atje, unë nuk shqetësohesha shumë për numrat, sepse në fakt gjithë çka mund të bësh gjatë një fushate, është të përpiqesh të bësh më të mirën me mesazhin, për strategjinë. Por ajo që më ka pëlqyer nga puna me ta është se socialistët shqiptarë, e mendoj se kjo është arsyeja përse më kërkuan të punoj me ta, është se donin të bënin një fushatë më strategjike se çkishin bërë më parë. Pra, kishin një strategji shumë të qartë, kishin mesazhe shumë të thjeshta, shumë prioritete të qarta dhe ishin po ashtu shumë të hapur ndaj ideve të reja, për mënyrën sesi bëhej fushata.
Ju besoj e keni ndjekur fushatën e PD. Çmendim keni për të? Si ia doli Berisha me fushatën e tij?
Mendoj se me përjashtim të ditëve të fundit, ai kishte më shumë energji se sa mendoja unë se do kishte. Pra ai nuk ndalej, ishte i vendosur, çka është e rëndësishme për një fushatë. Por mendoj se ai filloi të duket shumë i lodhur nga fundi. Mendoj se e teproi me punën e rrugëve. Mendoj se u shfaq shumë si një politikan sulmues, në vend që të kishte gjëra pozitive për të thënë për të ardhmen. Atij i shteruan idetë. Mendoj se Edi gjeti ekuilibrin e duhur mes sulmit dhe mbrojtjes. Mendoj se ai shpenzoi shumë kohë duke folur për planet për të ardhmen dhe shpenzoi po ashtu shumë kohë duke sulmuar Berishën. Dhe arriti të gjente ekuilibrin e duhur.
A mund të thuhet se Berisha e ndoqi pas Ramën, gjatë fushatës, përsa i përket temave, çështjeve të fushatës?
Unë nuk kam qenë këtu gjatë gjithë kohës, por ndjesia që kisha ishte se Edi kishte një strategji më proaktive. Strategjia e Berishës mbështetej tek përpjekja për të minuar besimin e publikut tek Edi, si një kryeministër i besueshëm. Kështu që ata vendosën të sulmojnë Edin personalisht. Këtë e kuptoj. I dedikuan shumë energji kësaj gjëje, por Edi e përballoi mjaft mirë këtë situatë.
Sa i lartë është mali që duhet të ngjisë qeveria e re? A jeni dakord me mua, që detyra e qeverisë së re është shumë e vështirë?
Është një detyrë shumë e vështirë. Dhe mendoj se bëhet edhe më e vështirë në një situatë si kjo e tanishmja. Shikoni vendim tim, le tju jap një shembull. Dihet se ne kemi një sistem disi të ndryshëm elektoral. Në zgjedhjet e 1 majit 1997 dolëm fitimtarë dhe ishim në Downing Street (zyrën e kryeministrit, shën red.) në 2 maj. Nga gara drejt e në qeveri. Aty ti trashëgon një sistem administrate publike me përmasa mjaft të mëdha, që nuk është politik, por që është aty për secilën qeveri. Mendoj se këtu nuk ndodh e njëjta gjë. Ju keni një periudhë tranzicioni dhe mendoj se periudha e tranzicionit është diçka e mirë. Mendoj se i jep Edit kohë për të planifikuar, për të menduar, për të pushuar pak, për tu fokusuar realisht në strategjinë e ardhme. Është një fjali e mrekullueshme nga Mario Cuomo, i cili thotë le të bëjmë fushatë në poezi, le të qeverisim në prozë.
Teksa kalon nga fushata në qeverisje, që është diçka krejt e ndryshme, të duhet ti marrësh të gjitha premtimet që ke bërë dhe ti zbatosh. Dhe kjo është e vështirë, është e vështirë kur ekonomia është kjo që është. Siç e dini, ekonomia botërore nuk po ecën shumë mirë, ka shumë njerëz të papunë, ndërsa ka pritshmëri të mëdha. Por mendoj se Edi ka treguar shumë cilësi realisht të mira në fushatë, në kohën që unë e kam njohur. Mendoj se ai është strategjik, i fokusuar, cakton prioritetet, mendoj se po ndërton një ekip.
Nuk mendoni që lista e premtimeve që ka bërë Rama është paksa e frikshme?
Pse e thoni këtë?
Sepse është shumë e gjatë. Janë shumë premtime për tu mbajtur.
Varet se çfarë kupton me këtë. Mendoj se premtimet e tij kryesore lidheshin me një sistem të ri taksimi ky është një premtim i madh; në lidhje me sistemin shëndetësor, arsimin, krimin dhe korrupsionin. Këto janë çështje mjaft të mëdha. Shumë të mëdha. Por mendoj se publiku e di se gjërat nuk ndryshojnë thjesht e vetëm meqë u ndryshua qeveria. Qeverisë i duhet ta implementojë ndryshimin paskëtaj. Dhe do të testohet.
Gjëja tjetër e rëndësishme që duhet kuptuar është se zgjedhjet dhe ndryshimi i qeverisë i jep vetë vendit mundësinë të shikojë vetveten dhe të hedhë shikimin jashtë në një mënyrë të ndryshme. Kështu që mendoj për shembull, me aq sa kuptoj, se do të ketë më shumë mundësi për investime të huaja dhe kjo, shpresoj, do tju ndihmojë me ekonominë. Jam dakord me ju, që diçka si sistemi shëndetësor është një çështje shumë e madhe, por thelbi i politikës është se mund të sjellë ndryshimin. Dhe për shkak të përmasave të fitores, ai do të ketë shumë energji, shumë mbështetje, për të bërë disa nga gjërat e vështira që në hapat e parë të qeverisjes.
Sali Berisha ka mbërritur në fundin e ciklit të tij politik. Si do ta përshkruanit ju karrierën e tij politike gjatë këtyre 20 vjetëve, me aq sa e njihni si politikan?
Unë nuk e njoh shumë mirë zotin Berisha dhe …shiko, të jesh kryeministër për 8 vjet është një arritje dhe duket qartë se ai mendon se ka bërë gjëra të mëdha për vendin. Por mendoj se në fund, përfundoi me