E Diel, 1 Nëntor 2026

Keti Bazhdari: Qytetaria shkodrane fitoi mbi indoktrinimin diktatorial

ketiKeti Bazhdari është imazhi i të majtës në qytetin e Shkodrës. Biznesmene e suksesshme, me origjinë nga një familje e përndjekur, ajo solli një aromë ndryshimi në qytetin e mbajtur peng nga e djathta.

Për gazetën Dita, ajo tregon arsyet e fitores të së majtës në qytetin që mbahet si bastion i PD-së.

Sipas saj, qytetaria shkodrane fitoi mbi indoktrinimin diktatorial.

Gjendja e vështirë ekonomike e papunësia e lartë në këtë qark, mungesa e politikave shtetërore për punësim e lënia totalisht në dorë të biznesit që të hapë vende të reja pune, e ndërkohë shpesh ky i fundit është ndjerë i kërcënuar, jo thjesht i papërkrahur nga shteti, po e theksoj i kërcënuar e i intimiduar nga institucione tatimore, doganore apo të pushtetit lokal, nuk mund të mos i ktheheshin në të kundërt qeverisjes së tetë viteve të fundit. Nuk duhet harruar se keqadministrimi i disa kompanive e aseteve kombëtare që ndodhen në këtë qark, në vend që të ndikonin pozitivisht,  bëri që këto të fundit të ktheheshin në faktorë negativë që i shkaktuan humbje të mëdha komunitetit (kini parasysh hidrocentralet e përmbytjet që  u shkaktuan prej tyre në këto katër vjet). Nga ana tjetër: militantizmi si kriter për angazhim e përfshirje në administratë, korrupsioni i shtrirë në çdo hallkë të saj, ushtrimi i funksioneve përmes polarizimit të tejskajshëm të shoqërisë gati-gati në nivelet e një lufte klasash, e shprehur jo vetëm në administratë, po edhe në mjediset e arsimit, botën e biznesit, jetën sociale e kulturore e madje edhe sportive të qytetit. Në Shkodër, Partia Demokratike krijoi një frymë të zotërimit e jo thjesht të qeverisjes së qarkut. Domosdoshmëria e ndryshimit të kësaj fryme që dominonte jetën e qytetarëve, u perceptua edhe si  domosdoshmëri e Rilindjes në çdo sektor. Jeta aktive e Partisë Socialiste në qark, ardhjet e shpeshta e interesimi specifik i liderit të opozitës, zotit Rama, programi gjithëpërfshirës i Rilindjes, edhe përmes aleancës së gjerë majtas, bënë që të thyhej frika për të qenë e për të besuar tek e majta. Qytetaria shkodrane diti të mposhtë indoktrinimin e ti japë mundësinë një fryme të re përfaqësimi në qeverisje, shprehet Bazhdari.

Shifrat flasin për një barazi mes votave që ka humbur koalicioni i djathtë me ato që i janë shtuar të majtës. Koalicioni ynë është rritur e LSI ka një kalim të qartë të shifrave, ndoshta edhe për shkak se një forcë e tretë, është një mundësi për një kalim më të butë të së djathtës drejt të majtës. Ajo që e bën më specifik këtë kalim, është fakti se Shkodra konsiderohet si një bastion i djathtë historik në vitet e demokracisë. Zhgënjimi këtu është edhe më i fortë sepse kjo prirje u keqpërdor e u nëpërkëmb, madje u përdor për të instaluar një doktrinë të re, gati sërish diktatoriale. Duke mikluar ideologjinë e shpirtit liberal shkodran, u arrit instalimi i një lufte të re klasash. Si në çdo histori diktature, qyteti përjetoi ndërtime veprash publike(rrugët), po degradoi në një shterim energjish, iniciativash e mundësish, duke i vënë njerëzit para zgjedhjes ndërmjet varfërisë ekstreme, jo thjesht ekonomike, por edhe sociale e kulturore, e nga ana tjetër një fryme që synon që përmes një programi të qartë të rilindë vendin, bazuar në ato parime demokratike që Shkodra i ka për zemër prej shekujsh, vijon Bazhdari./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›