E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zegjine Çaushi merr mandatin në Fier. Andia Ulliri pretendoi vendin në Durrës, KQZ ia jep Ndojit

Ilirjan Celibashi lexoi sot, për procedurë, emrat e deputetëve të Kuvendit që fituan mandatet nga zgjedhjet e 11 majit në Fier, Elbasan dhe Durrës.

Në shpalljen e emrave nuk priteshin surpriza, madje komisioneri shtetëror sqaroi në mënyrë shteruese edhe kandidaten e opozitës, Andia Ulliri, e cila pretendoi se mandati në Durrës i takonte asaj dhe jo ish-prokurorit Arjan Ndoja.

Pavarësisht se PD-ja në Durrës mori gjashtë mandate, në Parlament do të hyjnë pesë burra dhe një grua.

Zoti Celibashi interpretoi së pari se kandidatja Ulliri ka marrë më pak vota pëlqyese se Arjan Ndoja dhe, së dyti, se kuota gjinore që ajo pretendon nuk është e aplikueshme në këtë rast, për shkak se ligji thotë se në listën e hapur, kandidatët renditen mbi bazë votash pasi është shteruar lista e mbyllur dhe pastaj mbi bazën e kuotës gjinore.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i dha fund sagës së zgjedhjeve politike të 11 majit me leximin e emrave që nuk shkaktuan kundërshti në sallën e mbledhjeve.

Shpërndarja e mandateve të fundit u bë plot 75 ditë pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të majit.

Gazetare: Sonila Agostini

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›