Zekë Zeka, kandidat i VV-së për kryetar të Artanës

Të hënën, Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! na Artanë mbajti konferencë për media më ç’rast shpalli se “Zekë Zeka do të jetë kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të Komunës së Artanës.
Kryetari i Vetëvendosje!-s, Albin Kurti, tha se Artana është ndëshkuar edhe në aspektin ekonomik me moszhvillim, por edhe në aspektin politik me decentralizimin mbi baza etnike, që ka pasur për synim zgjerimin e territorit për ta ndryshuar përbërjen demografike të popullsisë. “Pra, synimi i decentralizimit me baza etnike në Artanë ishte që serbët të bëhen shumicë këtu, dhe këtë Lëvizja Vetëvendosje! e ka kundërshtuar rregullisht prej fillimit”, theksoi Kurti. Duke folur për komunën e Artanës, Kurti tha se territori i kësaj komunë ka qenë një trevë e populluar qysh në zhvillimet e hershme të njerëzimit. “Nëpër shumë dokumente thuhet se në shekullin XV, Artana kishte rreth 45,000 banorë. Bëhet qendër e rëndësishme në mesjetë, pikërisht atëherë kur edhe merr hov zhvillimi i xehetarisë.
Kulminacionin e zhvillimit ekonomik dhe politik e arrin me zhvillimin e minierës, e cila ishte shumë e pasur me minerale të arit, argjendit, plumbit dhe zinkut. Me 1450, minierat e Artanës prodhonin 6,000 kg argjend për një vit”, tha ai, duke shtuar se në kohën e socializmit, kjo minierë punësonte rreth 860 minatorë e punëtorë të tjerë, e pasi u dëmtua shumë gjatë aparteidit të regjimit të Millosheviqit e sidomos gjatë luftës, ka nisur prodhimin më vonë, por me numër shumë më të vogël të punëtorëve (vetëm 170 sosh, në mirëmbajtje dhe në prodhim me kapacitet të vogël). Lidhur me Kalanë e Artanës, që daton qysh nga koha e Bizantit, Kurti tha se përveç pastrimit të mbeturinave përreth Kalasë, nuk ka ndonjë investim tjetër: “Restaurimi i Kalasë dhe rregullimi i infrastrukturës përreth, mund ta bëjë Artanën një atraksion turistik veror dhe t’i sjellë të hyra më të mëdha buxhetit të Komunës dhe bizneseve lokale”./Indeksonline/