E Diel, 1 Nëntor 2026

Zeneli: Pushteti synon vetëm mbijetesën politike

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD), Lulzim Zeneli, ka vlerësuar sot në një konferencë me gazetarë se pushteti aktual, koalicioni PDK – LDK, synim të vetëm e ka mbijetesën politike.

“Sipas vlerësimit të LDD, pushteti aktual ka zgjedhur rrugën e cila qon vendin në thellim të krizës në vend. Sjellja e kryetarit te vendit dhe e kryeministrit, pas zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës, është pajtim me gjendjen ekzistuese”, ka thënë Zeneli, transmeton shërbimi për informim i kësaj partie.

Sipas Zenelit, fakti që në 30 për qind të territorit të Kosovës, pushtetin e vetëm e ushtron Republika e Serbisë, është porosi që pushteti aktual është zhytur në ujëra të zeza politike.

“LDD kundërshton fuqishëm çdo tendencë, e cila çon në fragmentarizmin apo ndarjen e brendshme të Kosovës, në emër të rehabilitimit të një komuniteti e që në realitet është çmim për dështimet e këtij pushteti dhe për involvimin e tij në jo ligjshmëri dhe krim ekonomik”.

LDD-ja vlerëson se pushteti aktual PDK-LDK e ka humbur legjitimitetin e qeverisjes së vendit dhe vazhdimi i kësaj politike është mbajtja peng e perspektives se vendit. “Këtë e përsërisim edhe sot kur te gjitha referencat ndërkombëtare dhe vendore flasin për humbjen e autoritet te kësaj qeverisje, për zhytjen e thelle te këtij pushteti ne korrupsion dhe krim ekonomik. Kjo është treguesi i qartë se kemi të bëjmë me një qeverisje jolegjitime dhe pa autoritet”, tha Zeneli.

Lidhja Demokratike e Dardanisë daljen nga kjo situate e sheh në largimi sa më i shpejtë të këtij pushteti dhe hapjen e rrugës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, të lira dhe demokratike në vend.

Zeneli theksoi se institucionet vendore që nga fillimi kur kanë marrë mandatin për qeverisjen e vendit kanë demonstruar se nuk kane vullnet politik që të përballen me luftën e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndërsa deklaratat e fundit kinse për luftimin e korrupsionit cilësohen si pjesë e retorikës ditore.

Nënkryetari i LDD-së vlerësoi se EULEX-i ka mandat në këtë proces jo vetëm për të luftuar korrupsionit, po edhe për të zbatuar ligjshmërinë në vend dhe për të krijuar ambient të sigurt për një jetë normale.

“Jeta normale në Kosovë mund të zhvillohet dhe qytetaret e Kosovës mund të jetojnë në një Kosovë normale vetëm atëherë kur luftohet fuqishëm korrupsioni dhe krimi ekonomik, ku zbatohet ligjshmëria. Atëherë mund te flasim për një perspektivë evropiane të Kosovës dhe për thithjen e investimeve të jashtme”, ka përfunduar Zeneli i LDD-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›