Zenepe Luka: E vërteta e tritolit që më vunë në shtëpi
Nga Raimonda Moisiu
Profili i publicistes, intelektuales dhe gazetares rebele- Zenepe Luka Cekrezi – i përket brezit të artë të gazetareve femra, si një nga gratë e para në median shqiptare që me shpinën e mendjes dhe kockë intelektuale të fortë, në sajë të përkushtimit, pasionit e përgjegjshmërisë morale, qytetare e intelektuale na ka dhënë gazetarinë bashkëkohore, profesionale, përvojën dhe eksperiencat e jetës, dhe afirmimin me vizion të gjerë profesional në dekada të tëra. Brez i artë i gazetareve femra që përfaqësohej denjësisht nga Adile Xhabija, Ludmilla Xhabija, Nexhmije Zajmi, Tefta Radi, Valentina Leskaj, Zenepe Luka, Elsa Xhai, Kozeta Mamaqi, Donika Tele, Albana Mëlyshi, Jorgjeta Gjanci, Frosina Papa, Kozeta Zavalani, Julia Naci, Shirma Minga, etj., me arritje të papara gjatë karrierës së tyre dhe kanë sfiduar skeptikët e kritikët e kohës edhe për çështjet më të rëndësishme në jetën social-kulturore politike të vendit. Ky brez i artë gazetaresh së bashku me kolegët e tyre burra- bënë rrotacionin mediatik më spektakolar, profesional e historik mes kufirit të dy epokave Gazetarisë para 90-s dhe pas viteve 90-t- në vazhdim e deri më sot-pra bënë historinë e medias shqiptare. Ja si shprehet shkrimtari i shquar i letrave shqipe, Dritëro Agolli për gazetaren Zenepe Luka: Në kuptimin e marrëdhënieve shoqërore, të jesh gazetar, do të thotë; të njohësh dhe të të njohin shumë njerëz, ta kesh për nder, që i njeh dhe ta kenë për nder ata, që të njohin. Në këtë larmi organesh shtypi, Zenepa Luka vazhdoi të përparojë stilin publicistik të gjinive të ndryshme të gazetarisë. Është një shprehje: Vrapojmë, të arrijmë Horizontin, Horizonti largohet duke paraqitur një pejsazh tjetër. Horizonti i shoqërisë politike shqiptare, ndryshoi, ndryshoi edhe përmbajtja dhe forma e gazetarisë. Nuk kishte më kontroll të rreptë të shtypit, u bë mënyra e të shkruarit më dinamike, më e thjeshtë, duke larguar ekstazën. Këtë përmbajtje dhe formë të re të shtypit, mundi ta përvetësojë edhe Zenepe Luka. Ajo filloi të shkruajë më thjeshtë, duke shmangur kozmetikën e frazës, kozmetikë, që fsheh përmbajtjen dhe zbeh faktin. Ndërsa babai i gazetarisë shqiptare, Prof.Dr.Hamit Borici, do të shprehet kështu për ish-studenten e tij Zenepe Luka: Zenepe Luka më sjell në kujtesë studenten që ngulmoi për të ndërruar degën, nga GjuhëLetërsi në Gazetari. Tashmë ajo është një gazetare e afirmuar me vision të gjerë profesional dhe përfaqëson një punë të madhe dhe me përkushtim në fushën e gazetarisë dhe publicistikës bashkëkohëse, profilin shoqëror e qytetar të njohur e vlerësuar jo vetëm nga kritika e kohës por edhe nga opinion publik shqiptar. Në këtë intervistë ju do të mësoni disa gjëra për herë të parë port ë vërteta, për sfidat dhe kalvarin e sakrificës e profesionalizmit të gazetares Luka.
Znj.Luka, jeni një penë publicistike mjaft e njohur në Shqipëri e krejt trojet shqiptare. A ju kujtohen ditët tuaja të para si gazetare?
Gjëja e parë që dua të shpreh është mirënjohja për Ju, zonja Moisiu, një publiciste dhe krijuese shumë e njohur, që po më mundësoni dhënien e kësaj interviste. Shkrimet e para të miat, botuar tek Zëri i Rinisë, revista Shqiptarja e Re,janë përpara se përfundoja studimet. Nëse bëhet fjalë për shkrimet pasi jam diplomuar gazetare, plot 40 vjet më parë, në maj të vitit 1973, janë në gazetën lokale Kukësi i Ri. Po e kujtoj shkrimin e parë. Sidoqë isha një vajzë e re, që vija në një rreth aq të largët, redaksia më dërgonte shpesh me shërbim në fshatra. Shkrimi i parë ka qenë pas një shërbimi në Shishtavec, lidhur me një fenomen shumë të bukur: Dashurinë e të rinjve me shkollë. Meqë më ra rasti të zë në gojë shkrimet në këtë gazetë lokale, nuk mund të harroj një rast, që për pak, më kushtoi shumë. Unë kisha bërë një shkrim për rastet që ndodhnin shpesh në këtë rreth verior, që thuajse ishte fenomen. Bashkëshorti i linte shenjë gruas, kur ajo e tradhëtonte, duke i prerë veshin, hundën, duke e ndëshkuar kështu tërë jetën. Në shkrimin tim vura edhe emrin e bashkëshortit dhe kur ai e kish lexuar erdhi në redaksi i revoltuar dhe me mendjen për të më prerë edhe mua veshin, pasi sipas tij e kisha turpëruar. Kam shpëtuar për qime, duke u mbrojtur se fajin e ka kryeredaktori që ka vendosur emrin e tij.
Çfarë ka ndikuar te ju, që ju zgjodhët të bëni gazetaren? Si iu lindi ideja për të qenë pjesë e gazetarisë shqiptare e Ballkanike -si pjesë narrative jetësore e rëndësishme nën ndikimin e kulturës, historisë e fenomeneve sociale, ekonomike dhe politike në komunitet, apo….?
Mendoj se gazetaria, përveçse profesion, është edhe pasion. Unë e kam trajtuar gjatë rrugën e mundimshme, që kam përshkuar, deri sa u futa në degën e gazetarisë, që çelej për herë të parë si degë më vehte në Universitetin Shtetëror të Tiranës në fakultetin e Shkencave Politike-Juridike. Vija nga qyteti i vogël i Librazhdit dhe të shkoje në këtë Fakultet, ku ishin fëmijët e anëtarëve të Byrosë Politike, nuk ish e lehtë. Me guxim dhe këmbëngulje ndërrova degën, pasi bursa më kish dalë për Gjuhë-Letërsi, hyra në konkurs dhe u pranova në këtë degë. Duke qenë se e kisha pasion gazetarinë, unë pranova të shkoj në terren, ku vazhdoj të jem edhe sot që mbusha 40 vjet në këtë profesion të bukur dhe të vështirë. Sigurisht, pasi ke marrë njohuritë e domosdoshme të gazetarisë dhe je diplomuar,bëhesh e përgjegjshme edhe për misionin që ka gazetaria. Gjykoj se jam fatlume, sidoqë në fillim e pata shumë të vështirë, që gjithë kohën kam qenë gazetare në terren, ku është gazetaria e vërtetë. Pikërisht të qenurit në terren, të krijon hapësirat për të trajtuar problematikët e shumta që ka pasur dhe ka shoqëria. Shkrimet nga terreni ishin dhe mbetet ushqimi më i vyer për gazetën. Sigurisht, të punosh kaq gjatë në këtë profesion, të provosh peripeci deri edhe në dhimbje për shkak të tij, padyshim do të bëhesh zëri i vërtetë i shoqërisë së kohës. Pas rënies së regjimit komunist, kur gazetaria mori lirinë e munguar, padyshim ky zë do të vinte edhe nga trevat e shtetet ku jetojnë shqiptarë, nga shtetet ku emigruan bashkëkombësit për një jetë më të mirë. Për gazetarin, por jo vetëm, kjo është një pasuri e madhe, e çmuar, një brilant në historikun e gazetarisë shqiptare..
Duke pasur një karrierë të gjatë në fushën e gazetarisë, ju keni përjetuar momente mbresëlënëse, të këndshme, por edhe kritike, dëshpëruese e të trishta. A mund të na përshkruani momente nga eksperienca tuaj?
Një rrugë kaq e gjatë dhe intensive, që në 40 vjet numërohen mbi dhjetëmijë shkrime, padyshim do të përjetosh kënaqësinë e profesionit, do të njohësh dhe intervistosh mijëra e mirë njerëz. Në 20 vitet e para të karrierës time, që i përkasin periudhës së regjimit komunist, sigurisht kam ndjerë mungesën e lirisë të të shprehurit, por ama më është dashur të udhëtoj me mushkë, në këmbë me orë të tëra, të ngjitem në stabilimentet e sharrave, të kaloja turnin e tretë me minatorët, për të sjellë realitetin. Sigurisht, para se të botohej shkrimi, në redaksi do ti bëhej grimi i duhur, për të minimizuar problemet dhe për tia dedikuar arritje partisë, sistemit socialist. Pra në një farë mënyre kishte censurë, kjo duhet pranuar. Por edhe pas viteve 90-të, kur prekëm erën e demokracisë, lirisë, mos kujtoni se gjithçka shkon vaj. Unë kam qenë për 10 vjet gazetare e gazetës Koha Jonë në Vlorë, që përkon me ndryshimet që pësoi shoqëria, që, për shkak të daljes nga izolimi, u përball me fenomene të dhimbshme si trafiku i qenieve njerëzorë, prostitucioni, tronditja e familjes, që më parë ishte një institucion, fenomene këto që duheshi