E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zeqiri, boksieri i vitit

Udhëheqësit e Federatës së Boksit të Kosovës (FBOXK) të mërkurën kanë shpallur laureatët për vitin që po e lëmë pas.

Boksierit më të mirë për vitin 2009 FBOXK-ja e shpalli Liridon Zeqirin nga klubi i Dritës së Gjilanit. Ai tha se e kishte pritur se do ta fitojë këtë shpërblim, i cili e gëzoi mjaft shumë gjilanasin.

“Jam i lumtur me këtë çmim që e fitova dhe mendoj se e kam merituar. E kam pritur se unë do të zgjidhem sportisti i viti, sepse boksierët pak sa më të vjetër e kanë braktisur federatën. I falënderoj të gjithë për këtë shpërblim, e në veçanti dy trajnerët e mi, Rexhep Jahiun dhe Musli Zymberin”, deklaroi Zeqiri i cili mbetet me shpresë që këtë sukses ta përsëritë edhe në vitin e ardhshëm.

Ndërsa boksieri më i mirë i vitit në kategorinë e juniorëve është shpallur Burhan Zeneli.

FBOXK-ja trajnerin më të suksesshëm për vitin 2009 e ka shpallur Bashkim Kabashin. Ndërsa epiteti i më të mirit në radhët e gjyqtarëve i takoi Latif Demollit.

Klubi më i mirë kosovar nga FBOXK-ja është përzgjedhur ai i Prizrenit. Kjo federatë nuk e harroi pa e shpërblyer edhe punëtorin më të dalluar të saj. Ky epitet i takoi kryetarit të FBOXK-së, Ramadan Selimit.

Me mirënjohje janë nderuar edhe këta boksierë: Jeton Plakaj, Burim Hasani, Kreshnik Kokollari, Milot Shabani, Kadri Murseli, Vehbi Lulaj, Gazmend Gashi dhe Arbër Elezaj.

Po ashtu, me mirënjohje është nderuar edhe selektori i përfaqësueses së Kosovës në boks, Mehmet Haxhani dhe drejtori i reprezentacioneve kosovare, Xhevdet Peci.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›