Rama & Shala, gati për Kombëtare

Dy kandidatët për ta veshur fanellën e Kombëtares shqiptare, Valdet Rama dhe Andis Shala, janë të gatshëm t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së selektorit Josip Kuze, nëse ky i fundit kërkon shërbimet e tyre.
Trajneri kroat, në një intervistë për Express, tregoi se është duke vëzhguar me vëmendje sulmuesin e Hannoverit, Valdet Rama dhe atë të Dundee United, Andis Shala. Ndërsa për këtë janë në dijeni të dy kosovarët.
Ish anëtari i klubit gjerman VfR Mannheim, Andis Shala mezi pret të marrë ftesë nga trajneri Josip Kuze dhe të realizojë ëndrrën duke luajtur për Kombëtaren shqiptare.
“Kam dëgjuar që Kuze është duke më përcjellë. Besoj se me angazhimin tim do ta bind atë që të më ftojë në Kombëtare. Shpresoj të më thërrasë. Unë mburrem me lujt për kombin tim”, ka thënë Shala për Express.
Në anën tjetër, edhe Valdet Rama është i informuar se kroati është duke e vëzhguar. Madje ish sulmuesi i Wolfsburgut është takuar sy më sy me Josip Kuzen javën e kaluar, pas ndeshjes Hannover ’96 – Bochum.
“Jam takuar me Kuzen. Pata një bisedë mjaft të mirë me të. Më tregoi që është i interesuar për mua dhe për këtë më vjen mirë”, thotë Rama i cili ishte vëzhguar edhe nga ish trajneri i Shqipërisë, Otto Bariç.
Sulmuesi i Hannoverit është i gatshëm ta veshë fanellën kuqezi, për të cilën thotë se do të japë gjithçka nga vetja.
“Kam ëndërruar të luaj për Shqipërinë. Nëse Kuze më fton, atëherë do jap 100 për qindëshin me gjithë dëshirë nga vetja për fanellën kuqezi”, theksoi ish anëtari i Ingolstadtit.
Nëse Rama dhe Shala vishen kuq e zi, atëherë numri i kosovarëve në Kombëtare pritet të rritet në nëntë.
Aktualisht në Kombëtaren shqiptare luajnë gjashtë kosovarë: Arian Beqaj, Lorik Cana, Armend Dallku, Debatik Curri, Besart Berisha dhe Samir Ujkani, derisa shumë shpejt atyre pritet t’u bashkohet edhe Mërgim Mavraj.
Ndërsa në të kaluarën fanellën kuq e zi e kanë bartur edhe Besnik Hasi, Mehmet Dragusha, Bekim Kastrati dhe Blerim Rrustemi.