E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zëri i Nolit dhe një fotografi e vjetër

23/01/2009  Ndërsa zerin e Fan Nolit e kisha dëgjuar dhe para disa kohësh, atë të Gjergj Fishtës e hasa për herë të parë këto ditët e fundit. Priftin erudit ortodoks e kishin incizuar gjatë një fjalimi për shoqatën atdhetare “Vatra” në Amerikë më 1962, ndërsa poeti i shquar katolik ishte regjistruar duke recituar pjesë nga poema e tij “Lahuta e Malcis”, më 1937. Natyrisht të dy me zërat e tyre, por sidomos me ato që thoshin, të lindnin emocione të veçanta. Dëgjimi i këtyre incizimeve u bë i mundur falë punës së gjatë kërkimore të albanologut të përkushtuar Robert Elsie, por edhe bujarisë së tij për t’i bërë të dëgjueshme nga të gjithë në internet (www.albanianlanguage.net ), gjë për të cilin ai meriton shumë përgëzime.

Noli në fjalimin e tij para vatranëve (anëtarë të “Vatrës”) ndër të tjera përmend disa përvjetorë (“aniversarë” u thotë ai) që përkonin me atë vit (1962). Ndërmjet tyre ishte dhe ai i festimit të 4 korrikut 1918 (4 korriku - festa kombëtare e SHBA-ve), kur ai bashkë me përfaqësues nga vende të tjera ishte i ftuar nga Presidenca amerikane në ceremonitë që do zhvilloheshin në Shtëpinë e Bardhë. Dihet se këtë rast patrioti Fan Noli e shfrytëzoi mirë për të arritur një mbështetje ndërkombëtare amerikane ndaj Shqipërisë. Për këtë kremtim incizimi na mundëson të dëgjojmë nga goja e tij këto fjalë: “Vatra” u përfaqësua me delegatin e saj (Noli - shën.im) më 4 të korrikut 1918 përpara Presidentit Uillson dhe fituam një nga miqtë më të mëdhenj, i cili shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi.” Kjo fjali më nxiti t’i kthehem përsëri një fotografie që është bërë atë ditë në Uashington me Presidentin Uillson dhe të ftuarit e tij nga disa kombësi të botës. Fotoja është shkëputur nga një album i vjetër fotografik me pamje nga jeta e shqiptarëve që jetonin në SHBA në fillim të shekullit XX, të dhuruar nga miku im, arkitekti i njohur dhe poeti Petraq Kolevica.

Fotografia rregullisht ka bërë pjesë në protokollin presidencial të hartuar për pritjen e të ftuarve dhe është realizuar nga fotografi zyrtar i asaj kohe të Shtëpisë së Bardhë. Duke e vështruar ngultazi, s’ke sesi të mos përsiatësh mbi të (këtu qëndron edhe forca e fotografisë, nxitja për të menduar e lexuar “përmasën e tretë” të saj). Kështu, përfytyrojmë takimet e kortezisë së miqëve me të zotin e shtëpisë, ndonjë bisedë të shkurtër, me urimet e rastit, buzëqeshjet tipike etj. Me ndihmën edhe të historisë, fotoja na sjell para syve, takimin mes Presidentit dhe Fan Nolit, që zgjat diçka më tepër se të tjerat. Prifti trupvogël e me zemër të madhe me anglishten e kulluar dhe argumente të pastra historike tërhoqi vëmendjen e mikpritësit për gjendjen e vendit të tij, Shqipërisë, e cila në atë kohë kërcënohej egërsisht nga copëtimi përfundimtar prej shovinistëve fqinjë. Për këtë biseda ndërmjet tyre e kaloi cakun e kortezisë, madje Uillson i premtoi të dërguarit të shqiptarëve se do ta mbronte çështjen e tyre. Kështu, pas një viti, më 1919, në Konferencën e Paqes në Paris ai kundërshtoi me forcë shpërbërjen e Shqipërisë, qendrim që e renditi atë ndër miqtë më të mirë të shqiptarëve në histori. Për këtë gjë shqiptarët i janë vazhdimisht mirënjohës ish-presidentit të SHBA-ve Uodrou Uillson (Woodrow Wilson, 1856-1924). Shënojmë këtu se po atë vit, 1919, ai u nderua me çmimin “Nobel” për paqe.

Duke vazhduar këqyrjen e fotografisë, vërejmë se të gjithë janë veshur me kostume civile, me përjashtim të Nolit, që mban rason e priftit, gjë që s’e pengonte të kryente më së miri misionin e tij. Në atë kohë Shqipëria ishte nën pushtimin e ushtrive të vendeve fqinje dhe shpesh “Vatra” e përfaqësonte atë në veprimtari të ndryshme ndërkombëtare. Natyrisht, qendra e rëndesës së fotografisë është figura e Presidentit Uillson (me pantallona dhe kapalë të bardhë), që nuk përputhet me atë gjeometrike të saj. Pranë tij, mbi supin e majtë, ndodhet Fan Noli me qëndrim mjaft dinjitoz. Me sa dallojmë nga fotografia, shikimi i tij rrezaton një gëzim të përmbajtur, që buron nga fjala e marrë për mbrojtjen e vendit dhe besimi te mbajtja e saj. Edhe pjesëmarrësit e tjerë shpërfaqin kënaqësi, madje dikush mund të paramendonte se fotoja do t’i shërbente si dëshmi prestigji a aftësie për karrierën e mëtejshme (siç bëjnë sot politikanët kur fotografohen me ndonjë figurë botërore). Por gëzimi i Nolit kishte ngjyrim tjetër, aspak vetjak, përkundrazi, për kombin e tij, pra shumë fisnik, e kësisoj doemos më i përligjur. Ai pak minuta përpara kishte marrë një premtim të një rëndësie të veçantë.

Gjithë këtë vepër të lartë të tij Noli, duke folur para anëtarëve të “Vatrës” më 1962 e përmbledh vetëm me fjalinë: “Fituam një nga miqtë më të mëdhenj, i cili shpëtoi Shqipërine nga copëtimi”. Gjithsej 10-12 fjalë, por ato përfaqësonin atë hap të madh dhe historik që shmangu fshirjen e Shqipërisë nga harta gjeografike dhe politike e botës. Dhe eruditi, letrari, por veçanërisht atdhetari i shquar me raso prifti flet me mjaft thjeshtësi për bisedën e tij me presidentin Uillson, sidomos për rolin e tij, sikur të bëhej fjalë për dikë tjetër, fare pa lidhje me të.

Le të kthehemi përsëri te fotografia historike e përkujtimore mbi 90-vjeçare. Poshtë saj, në albumin e cituar shkruhet diçitura: “Delegatët e kombësive të ndryshme që ishin ftuar prej Presidentit Uillson në Uashington për kremtimin e ditës së Katër Korrikut, të cilët depozituan nga një kurorë për racat që përfaqësonin mbi varrin e Xhorxh Uashingtonit në Mount Vernon”.

Mendojmë se kurora që vendosi Noli në Mount-Vernon është historikisht e para me të cilën një përfaqësues zyrtar i shqiptarëve nderon simbolikisht një komb tjetër. Madje, si prift që ishte, e përfytyrojmë atë t’i përjetonte thellësisht ato çaste, duke lexuar si nën zë edhe ndonjë përshpirtje në gjuhën shqipe, dhe këtë jo vetëm si rit fetar, por më tepër të dalë nga thellësia e shpirtit të tij.

Gjithashtu, siç e përmendëm edhe më sipër, fotografia ndoshta mund të ketë pasur ndikim në jetën a karrierën e ndonjë pjesëmarrësi në të. Por për gjithë shqiptarët është diçka tjetër. Ajo, thënë ndryshe, përbën një trokitje në kujtesën historike për të mos harruar një nga çastet më të vështira të mbijetesës së tyre si komb dhe shtet. Meritën për këtë ndoshta e kanë vetëm dy njerëz në fotografinë tonë: Presidenti Uillson dhe shqiptari Fan Noli.

Fytyra e qetë dhe dinjitoze e Nolit, i cili përveç cilësive dhe vlerave të njohura kulturore dhe atdhetare me fjalimin e tij para vatranëve më 1962, në përkujtim të 4 Korrikut 1918, sikur do të thotë se unë bëra vetëm detyrën time si shqiptar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›