E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët të pakënaqur, i dërgojnë peticion Presidentit

23/01/2009  MASH: Modelet e reja krijojnë më shumë hapësira punësimi

Shtohen pakënaqësitë në lidhje me qëndrimin e Ministrisë së Arsimit kundrejt institucioneve universitare në vend. Ashtu siç ka ndodhur rëndom këto kohët e fundit, studentët vijojnë të protestojnë rreth problemeve të shfaqura. Gjatë ditës së djeshme është zhvilluar një tjetër protestë para këtij institucioni, ku studentët e Shkencave Sociale, Drejtësisë dhe ata të Gazetarisë kanë kërkuar që ministria të mos heshtë, por të marrë masat dhe përgjegjësitë që i takojnë në lidhje me problemin e godinës dhe pavlefshmërisë së diplomave për ciklin e Bolonjës. Lidhur me akuzën e bërë një ditë më parë nga kreu i Universitetit të Tiranës për mangësitë që kanë diplomat e reja Ministria e Arsimit ka reaguar, duke i quajtur ato të pabaza. Kjo pasi çdo veprim është kryer konform ligjit të arsimit të lartë. Burimet zyrtare të Ministrisë së Arsimit bëjnë të ditur se neni 31, pika 4, e ligjit nr. 9741, datë 21 maj 2007, “Për Arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë” thotë: “ Përmbajtja dhe forma e diplomës dhe e suplementit të diplomës përcaktohen nga senatet akademike në përputhje me udhëzimet e MASH-it”, duke marrë përsipër kështu përgjegjësinë për hartimin e këtyre diplomave. Sipas këtyre burimeve, më parë janë shqyrtuar modelet e paraqitura nga sentatet, pastaj janë hartuar ato decizivet, të cilat janë përcaktuar dhe për shpërndarje me standardet përkatëse. “Gjithashtu bëjmë me dije se ky standardizim është në përputhje me diplomat që lëshohen nga institucionet e arsimit të lartë (IAL) brenda zonës evropiane të arsimit të lartë dhe më gjerë. Sipas ligjit shqiptar dhe Marrëveshjes së Bolonjës, emërtimi i diplomës përmban nivelin dhe fushën e studimit të kryer. Theksojmë se kjo formë e emërtimit të diplomës sipas nivelit dhe fushës së studimit të kryer krijon hapësira më të gjera punësimi për çdo të diplomuar në tregun e punës në krahasim me modelin e mëparshëm me tituj profesionalë. Krahas diplomës, çdo student pajiset edhe me suplementin e diplomës, i cili jep hollësi për programin dhe nivelin e studimit të kryer, si dhe për mundësitë konkrete të punësimit”, - thuhet nga burimet zyrtare të kësaj ministrie.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›