E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këtë vit dyfishohet ndihma ekonomike

23/01/2009  Qeveria ka parashikuar që deri në 2013-n kjo pagesë të arrijë në 9115 lekë

Programi, 85 mijë familje nën vijën e varfërisë prej 2 dollarë në ditë në 2009-n

Pagesa e ndihmës ekonomike do të dyfishohet këtë vit. Qeveria ka parashikuar që personat, të cilët marrin përkrahje sociale nga shteti, të përfitojnë deri në vitin 2013, një shumë mujore prej 9 115 lekë. Ky nivel ishte 1 890 lekë në vitin 2007, çka do të thotë, referuar programit afatmesëm të Qeverisë, një rritje prej 5 herësh më shumë.

Rritja

Fondet që Qeveria ka dhënë për rritjen e pagesës së ndihmës ekonomike kanë ardhur në rritje nga viti në vit. “Për vitin 2008 u çelën 3,5 miliardë lekë në krahasim me 2,6 miliardë lekë në 2007-n ose 35 për qind më shumë. Në vitin 2009 janë parashikuar 4,3 miliardë lekë ose 23 për qind më shumë se në 2008, ose 65 për qind më shumë kundrejt 2007-s”, thekson programi afatmesëm i Qeverisë. Ndërkaq, për vitin 2010 ky fond është parashikuar të shkojë deri në 5,7 miliardë lekë. “Si rezultat i identifikimit më të mirë të familjeve të varfra dhe rritjes së fondeve buxhetore u rrit masa mesatare e ndihmës ekonomike për familje. Në vitin 2008 masa mesatare për familje u rrit në 64 për qind në krahasim me 2007-n. Në vitin 2009 parashikohet që të dyfishohet dhe në vitin 2013 parashikohet të arrijë në 9115 lekë nga 1 890 lekë që është në vitin 2007, ose pesë herë më shumë”, thuhet në program.

Varfëria

Vitin e kaluar u realizua për herë të parë matja e nivelit të jetesës dhe varfërisë, sipas nivelit 2 dollarë në ditë. Harta e varfërisë shërben për identifikimin e familjeve të varfra dhe përqindjen e popullsisë. “Në vitin 2008 popullsia nën vijën e varfërisë është rreth 14 për qind nga 16,9 për qind që ishte në 2007-n. Për periudhën 2009-2011, sipas projeksioneve, parashikohet të jetë rreth 85 mijë familje nga 93 mijë familje në 2008-n ose 9 për qind më pak. Në 2010-n do të jetë 80 mijë nga 85 mijë familje në 2009-n ose 6 për qind më pak. Në vitin 2011 do të arrijë në 74 mijë nga 80 mijë në 2010-n ose 7,5 për qind më pak”, - theksohet në program.

Ndryshimi

Në strategjinë sociale përcaktohet se pas vitit 2005, mekanizmi i llogaritjes së ndihmës ekonomike nuk lidhet më me pagesën e papunësisë, por me një masë fikse, brenda disa kufijve. Këto kufij përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave, me prirje drejt pensionit minimal. “Kufiri maksimal i masës së përfitimit të ndihmës ekonomike u rrit nga 6 500 lekë në 7 000 lekë në muaj, ndërsa kufiri minimal i ndihmës ekonomike nga 500 lekë në 800 lekë në muaj. Masa e ndihmës ekonomike, për kryefamiljarin dhe për personat mbi moshë punë u bë 2 600 lekë në muaj, ndërsa për personat në moshë pune dhe nën moshë pune u bë respektivisht 600 dhe 700 lekë në muaj”, - thekson strategjia sociale, e miratuar në janar të 2008-s.

Problemi

Mbulimi dhe nivelet e pagesave deri më tani kanë qenë të ulëta, çka ka bërë që efekti i programit të ndihmës ekonomike në uljen e varfërisë të jetë shumë i vogël. Pagesa mesatare mujore e ndihmës ekonomike të plotë për një familje në vitin 2005 ishte 2.689 lekë, ndërkohë që ndihma ekonomike e pjesshme në zonat rurale ishte 1.935 lekë. Sipas strategjisë sociale, pagesa e ndihmës ekonomike nuk u korrektua asnjëherë me rritjen që ka pësuar pagesa bazë e papunësisë. Fondet e akorduara plotësonin vetëm 40%-60% të nevojave ligjore.

Përfituesit

Qeveria ka zbatuar programe për dhënien e fondeve të ndihmës ekonomike për ato familje që plotësojnë kriteret. Kjo ka bërë që nga skema të dalin shumë familje, ndërsa bëhet fjalë për një rënie me rreth 25 për qind të numrit të përfituesve.

Ndihma ekonomike

Ndihma ekonomike është një pagesë që jepet për familjet me të ardhura të pakta ose pa të ardhura. Pushteti qendror, në bazë të kërkesave për fonde, u shpërndan bashkive dhe komunave bllok grantesh të kushtëzuara për mbulimin e nevojave të familjeve të varfra.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›