E Diel, 1 Nëntor 2026

Zëvendësimi i komisionerëve të PS shkakton debat mes anëtarëve të KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje mes debatesh propozimet për komisionerët e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut në zgjedhjet e pjesshme lokale. Me katër vota pro dhe dy kundër janë pranuar emrat që do të zëvendësojnë komisionerët socialistë, ndërsa vendimi është kundërshtuar nga anëtarët, përfaqësues të së majtës. Nënkryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Dëshira Subashi, u shpreh kundër miratimit, pasi gjashtë anëtarë të propozuar nuk përmbushnin listën e plotë të dokumentacioneve që duhet të paraqesin para KQZ. Por kryetari i këtij institucioni arsyetoi se vonesat që u shkaktuan për shkak të bojkotit të PS detyrojnë KQZ që të bëjë kapërcime të tilla. "Bojkoti na çoi në vështirësi të tilla prandaj jemi të detyruar që të bëjmë kapërcime. Kjo ka qenë arsyeja që për t‘ia arritur qëllimit që të bëjmë zgjedhjet të bëjmë kapërcime të tilla", tha ai. Subashi kujtoi se KQZ kishte marrë më parë një vendim për PBDNJ-në ndaj kjo parti duhet të respektonte ligjin. "Nuk ka lidhje më tashmë procedura me mosqenien e kandidaturave nga PS, sepse ne kemi lënë një afat për PBDNJ dhe kjo parti t‘i përgjigjet vendimit të KQZ", vijoi ajo. Sakaq, anëtari tjetër i KQZ-së, Klement Zguri, deklaroi se nuk është e njëjta gjë që një parti e vogël të marrë përgjegjësitë dhe detyrimet që i takojnë një partie të madhe. Anëtari Artan Laze vuri në dukje se të paktën dosja duhej plotësuar me disa dokumente bazë. Sakaq, KQZ miratoi dje edhe sasinë e fletëve të votimit që duhet të prodhohen. Në KQZ kanë ardhur të dhënat nga 5 njësitë e qeverisjes vendore dhe rezulton se janë gjithsej 65 QV dhe 45.138 zgjedhës. Pas shtimit të 2 përqindëshit mbi numrin e zgjedhësve që përcakton Kodi Zgjedhor, sasia e fletëve të votimit që duhet të prodhohet për të 5 njësitë është 46.041 copë. Afati i regjistrimit të kandidatëve për kryetar të njësive të qeverisjes vendore ka përfunduar dhe KZAZ nr. 2, KZAZ nr. 6, KZAZ nr. 36, KZAZ nr. 43, dhe KZAZ nr. 54 kanë dorëzuar në KQZ vendimet përkatëse të regjistrimit të tyre. Kundër vendimeve të KZAZ nr. 2, KZAZ nr. 6, KZAZ nr. 36, KZAZ nr. 43, dhe KZAZ nr. 54 për regjistrimin e kandidatëve për kryetar komune, brenda afatit të parashikuar nuk është bërë asnjë ankimim. Gara në Komunën Otllak do të ketë tre kandidatë, ndërsa njësitë e tjera do të kenë nga dy kandidatë. Në Komunën Otllak do të garojë Hektor Beqollari, nga Partia e Punës së Shqipërisë e Riorganizuar, Muharrem Hoxha nga PD dhe Nasi Gjoka nga LSI. Në Bashkinë Klos do të garojë Ramazan Mjeshtri nga PD dhe Xhevdet Reçi nga LSI. Në Komunën Fierzë garon Gjelosh Perkolaj nga Partia Demokratike dhe Mehmet Ponari nga LSI. Ndërsa në Bashkinë e Fushë-Arrëzit konkurron Alfred Qafa nga PD dhe Ded Gjergji nga LSI. Ndërsa në njësinë bashkiake numër. 10 në Tiranë konkurron Blend Fuga nga PD dhe Gjergj Thomai nga LSI.

A.Thomollari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›