Zëvendëskryeministrja Koçiu apel për parandalimin e zjarreve: Të ndihmojmë ekipet e zjarrfikësve, pakujdesia shkrumbon pasurinë e përbashkët

Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Albana Koçiu, ka lëshuar një apel të fortë drejtuar qytetarëve për rritjen e vigjilencës dhe ndërgjegjësimit me qëllim parandalimin e zjarreve gjatë sezonit të verës. Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, numri dy i qeverisë u kërkoi përdoruesve të platformave digjitale të shpërndajnë masivisht mesazhet sensibilizuese, duke i bërë thirrje “algoritmit” të ndihmojë në përhapjen e kauzave me interes publik.
Koçiu vuri në dukje kontrastin mes atyre që shprehin dashuri për natyrën në rrjete sociale dhe veprimeve të pakujdesshme në terren që shkaktojnë dëme të pariparueshme në mjedis.
Në reagimin e saj, Zëvendëskryeministrja nënvizoi faktin se vëmendja e rrjeteve sociale shpesh rrëmbehet nga tematika joproduktive, ndërsa kërkoi angazhim qytetar për të thyer këtë trend:
“T’i ndihmojmë pak ekipet e zjarrfikësve që ta ‘kapë’ edhe këtë material algoritmi i famshëm, i cili zakonisht ndizet për sherr e shamata, në mënyrë që të ndërgjegjësohen sa më shumë njerëz. Ta bëjmë viral këtë material, me shpresën se, ndoshta mes klikimeve, do të mbërrijë edhe në ekranet e atyre që, nga njëra anë flasin me pasion për natyrën, ndërsa nga ana tjetër, me një pakujdesi të pafalshme, bëhen shkak për zjarre që shkrumbojnë pikërisht këtë pasuri të përbashkët.”
Ajo vlerësoi maksimalisht gatishmërinë e strukturave të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi që ndodhen në terren në këtë fillim sezoni të nxehtë, duke kërkuar që puna e tyre të lehtësohet përmes bashkëpunimit qytetar:
“Ndërkohë që zjarrfikësit dhe algoritmi bëjnë punën e tyre, le të shpresojmë dhe, mbi të gjitha, le të kujdesemi të gjithë bashkë që ky sezon i nxehtë, që sapo ka filluar, të kalojë me sa më pak vatra zjarri dhe pa dëme.”
Apeli i strukturave operacionale
Në të njëjtën linjë, përfaqësuesit e shërbimit zjarrfikës kanë kujtuar se periudhat e nxehta rrisin ndjeshëm rrezikun e përhapjes së flakëve nga pakujdesia njerëzore, duke bërë thirrje për reagim të shpejtë qytetar.
“Ajo që mund të lindë nga një pakujdesi e vogël në pak sekonda, mund të kthehet në një katastrofë të madhe për natyrën. Zjarret janë një kërcënim i hapur ndaj pronës, jetës dhe të ardhmes së përbashkët. Mbrojtja e natyrës është përgjegjësi për secilin prej nesh. Tregoni kujdes, për çdo rast që shihni vatër zjarri njoftoni në numrin 128,” u shpreh përfaqësuesi i shërbimeve operacionale.
Me rritjen e temperaturave në mbarë vendin, autoritetet kanë kaluar në gadishmëri të përforcuar, ndërsa mbetet jetik koordinimi mes banorëve, turistëve dhe strukturave të Emergjencave Civile për të mbrojtur zonat pyjore dhe ato të banuara.
/rtsh.al/