Zgjatja e afatit të Komisionit Hetimor në Shëndetësi, Konferenca e Kryetarëve rrëzon kërkesën e PD-së

TIRANË, 13 nëntor /ATSH/ Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve është rrëzuar kërkesa e Partisë Demokratike për zgjatjen e afatit të Komisionit Hetimor parlamentar për Sterilizimin dhe Check-up në Shëndetësi.
Konferenca e Kryetarëve shqyrtoi kërkesën e 7 deputetëve të Partisë Demokratike për zgjatjen e afatit të Komisionit Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-Up në Shëndetësi.
Përfaqësues të mazhorancës nuk kanë pranuar kërkesën e opozitës. Kërkesa e Partisë Demokratike për zgjatjen e afatit u parashtrua nga deputetja Ina Zhupa, e cila argumentoi se nuk ka kohë për dëshmitarët e miratuar nga të dyja palët.
“Komisioni nuk ka përmbushur të gjitha pikat e planit hetimor lidhur me marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe nuk është shkruar raporti i Komisionit i cili në rastin më të mirë kërkon 10 deri në 14 ditë kohë përpara paraqitjes të tij në Komision dhe më pas në Kuvend. Nëse Komisioni nuk zgjat veprimtarinë e tij, nuk ka afat kohor për të shkruar raportin”,- thuhet në kërkesën e PD-së.
Nesër është afati i fundit i këtij Komisioni, ndërsa në pritje për të dëshmuar ka qenë ish-ministri Ilir Beqaj.
Dëshmia e Beqajt, i cili aktualisht ndodhet në burg, u mbajt peng nga debatet e vazhdueshme mes mazhorancës dhe opozitës.
Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve e drejtuar nga kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali shqyrtoi po ashtu edhe projektprogramin e punës së Kuvendit për periudhën 25 nëntor-27 dhjetor dhe projektkalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 25 nëntor-13 dhjetor.
Pas diskutimeve, Konferenca e Kryetarëve nuk arriti dakordësi dhe çështja i kaloi seancës plenare. /j.p/