Zgjedhja e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH, sot dëgjesat e 12 kandidatëve

12 kandidatët e përzgjedhur, që plotësuan kriteret ligjore të parashikuara në bazë të Statutit të Radio Televizionit Shqiptar, në garë për postin e Drejtorit të ri të Përgjithshëm, shpalosën platformat e tyre gjatë fazës së prezantimit para anëtarëve të Këshillit Drejtues.
Emrat e përzgjedhur, të gjithë të pranishëm në seancën maratonë, folën mbi pikat bazuar në programet e tyre.
Seanca publike, që nisi në orën 11 dhe zgjati disa orë, u zhvillua pranë ambienteve të Radio Televizionit Shqiptar, ndërsa kandidatët u thirrën sipas rendit alfabetik.
Këshilli Drejtues dëgjoi një nga një të gjithë kandidatët e përzgjedhur për këtë fazë.
Bazuar në respektimin e parimit të transparencës, procesit të vlerësimit dhe përzgjedhjes pas prezantimit të platformës nga secili kandidat iu la në dispozicion 15 minuta kohë, ndërsa u drejtuan edhe pyetje nga anëtarët e Këshillit Drejtues.
Kryetari Fatjon Hoxhalli njoftoi për vijimin e një tjetër seance të enjten, kur përmes një votimi të fshehtë, Këshilli Drejtues pritet të bëjë publik emrin e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH. Në konkurrim janë:
- Flamur Buçpapaj
- Kliton Rama
- Zoje Jakaj (Marashi)
- Jetmir Shpuza
- Laureta Roshi
- Ermal Hoxha
- Eni Vasili
- Harrila Koçi
- Engjëllush Musai
- Mimoza Haxhiaj
- Elton Metaj
- Enrik Mehmeti
Drejtori i ri i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar parashikohet të ketë një mandat 5-vjeçar.
Gazetare: Elda Hasanbelli
/rtsh.al/