Zgjedhja e Presidentit, PD drejt raundit me 71 vota. PS nuk jep emra

Deputetet duke dale nga seanca dy-minuteshe per raundin e dyte te zgjedhjes se Presidentit
Maxhoranca cakton të premten për votimin e fundit me 84 vota. Meta: Votojmë Zaganjorin me 71 vota. Rama: Na jepni disa emra.
Debate mes PD e PS në Konferencën e Kryetarëve për datën e raundit të tretë.
PS nuk jep emra, maxhoranca drejt raundit me 71 vota.
Raundi i tretë i votimit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës do të zhvillohet ditën e premte, më datë 8 qershor. Dje maxhoranca dhe opozita janë përfshirë në debate në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, për caktimin e datës së zhvillimit të raundit të tretë të votimit, për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Konferenca e Kryetarëve e cila u mblodh dje në orën 12:00, nuk ka mundur të dalë në një qëndrim të unifikuar midis palëve për caktimin e datës së votimit. Sipas burimeve, mësohet se kryetari i Grupit të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, ka kërkuar më shumë kohë në dispozicion për caktimin e datës së raundit të tretë. Për këtë Ruçi ka propozuar dy variante, për të zhvilluar votimin e kreut e shtetit ditën e diel, më datë 10 qershor, ose ditën e hënë më 11 qershor, në orën 10:00. Por kërkesa e kreut të Grupit të PS-së nuk është pranuar nga kryetarja e Kuvendit, e cila në mbledhjen e djeshme ka propozuar që votimi i tretë të behët ditën e premte, më 8 qershor, një ditë pas seancës së zakonshme të Parlamentit. Propozimet e Grupit të opozitës janë cilësuar nga kryetarja e Kuvendit si tejkalim i afatit kushtetues prej 7 ditësh dhe, si e tillë, nuk mund të pranohej. Kryetari i Grupit të PS-së ka insistuar që votimi i ardhshëm të bëhej në një afat me të gjatë për shkak të dhënies më shumë kohë të tryezës së negociatave. Por duket se maxhoranca është e vendosur të shkojë sa më shpejt te raundi i katërt, kur Presidenti sipas Kushtetutës zgjidhet me 71 vota. Burime pranë maxhorancës bëjnë të ditur se gjatë kësaj jave mund të zhvillohet një takim i dytë midis Kryeministri Sali Berisha dhe Kryetarit të PS-së Edi Rama vetëm vetëm në rast se opozita do të pranojë të paraqesë në tryezë emra konkretë kandidatësh për postin e Presidentit.
Diskutimi
PS-ja ka kërkuar një javë kohë për zhvillimin e raundit të tretë, që sipas Kushtetutës është mundësia e fundit për të zgjedhur një Presidentin me një shumicë të cilësuar votash, minimalisht 84 kartonë jeshilë të ligjvënësve. Por, për demokratët katër ditë janë të mjaftueshme, për të zhvilluar negociata dhe për të realizuar raundin e tretë të votimit në Parlament, të një kandidature konsensuale. Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve është ndarë në dy qëndrime dhe pa dakordësinë e palëve për procesin e votimit dhe, për pasojë, vendimi përfundimtar do ti kalojë seancës plenare të ditës së enjte. Ashtu si në mbledhjen e shkuar, propozimi i Grupit të PD-së do të hidhet i pari në votim dhe sipas gjasave do të miratohet me shumicë votash. Në mbledhjen e shkuar, maxhoranca arriti të merrte 74 vota pro për propozimin e saj, që raundi i dytë të konsumohej një ditë më parë.
Dështon raundi i dytë i votimit për Presidentin
Seanca rekord zgjat vetëm dy minuta, nuk ka kandidat
Dështoi dje raundi i dytë i votimit në Parlament për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Seanca plenare ka përfunduar si rrallë ndonjëherë dhe mbledhja e ligjvënësve ka zgjatur vetëm dy minuta, pasi nuk u paraqit asnjë kandidaturë që tiu nënshtruar procesit të votimit. Parlamenti e ka çelur mbledhjen në orën 10:47 minuta dhe përfundoi në orën 11:49 minuta. Ndryshe nga seanca e shkuar, krerët e grupeve parlamentare nuk kanë debatuar për mungesën e një kandidature për postin e kreut të shtetit. Duket se takimi i dy ditëve më parë midis kryetarit të maxhorancës Sali Berisha dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka zbutur tonet, edhe pse nuk dolën me një emër të përbashkët. Maxhoranca edhe në raundin e dytë të votimit nuk ka preferuar të hedhë zyrtarisht në garë kandidatin e saj, anëtarin e Gjykatës Kushtetuese Xhezair Zaganjori, për shkak të mungesës së konsensusit me opozitën. Kandidatura e Zaganjorit vazhdon të mbetet emri i shumicës parlamentare, pasi ai u përzgjodh nga tryeza e negociatave midis PD-së, LSI-së, PDIU-së dhe PR-së. Ndërkaq, në fillim të mbledhjes, kryeparlamentarja Jozefina Topalli theksoi në përputhje me Kushtetutën edhe Rregulloren e Kuvendit, raundi i votimit quhet i përfunduar edhe pa kandidatë të regjistruar në Kuvend. Raundi i dytë mbahet bazuar në nenin 86, 87 dhe 88 të Kushtetutës, në nenin 109 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, si dhe në vendimin e Konferencës së Kryetarëve të datës 30.5.2012, miratuar më datë 31.5.2012. Në raundin e dytë nuk ka një kandidat formal për të zhvilluar votimin. Bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, votimi quhet i kryer, theksoi Topalli.
Raundi i III
Sipas Kushtetutës, raundi i tretë i votimit është deciziv për zgjedhjen e kreut të shtetit me konsensus midis maxhorancës dhe opozitës. Raundi i tretë, ashtu si dy raundet e ezauruara, kërkon që kandidati për President që do të regjistrohet në Kuvend me 20 firmat e deputetëve, duhet të marrë jo më pak se 84 vota, pra një shumicë të cilësuar votash. Ndërkohë, me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, nëse kandidati për President në raundin e katërt nuk merr tre të pestat e votave, atëherë ai mund të miratohet me një shumicë të thjeshtë votash, pra 71 votat e shumicës në Parlament.
Kandidatët
Me çeljen zyrtare të garës për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, maxhoranca dhe opozita nuk kanë zyrtarizuar asnjë kandidaturë në Kuvend. Shumica parlamentare ka zgjedhur si kandidat gjyqtarin e Kushtetueses, Xhezar Zaganjorin, por ai nuk është ende zyrtar, pasi sipas Kushtetutës duhet të mbledhë firmat e 20 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Nga ana tjetër, Partia Socialiste nuk ka propozuar asnjë emër si kandidat për President. Ndërkaq, kandidatura e vetëshpallur e Fatos Nanos nuk mund të përfshihet në votim, për shkak të mungesës së firmave të deputetëve të PS-së.
Ambasadorët monitorojnë raundet e Presidentit
Raundi i dytë i votimit për postin e kreut të shtetit është ndjekur dje me vëmendje nga ambasadorët e akredituar në Tiranë. Ashtu si në seancën e shkuar, në lozhat e Kuvendit ishin dje pranishëm ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ambasadori i Bashkimit Europian, Etore Sekui dhe zëvendësambasadori i OSBE-së, Dan Redford. Diplomatët e huaj kanë mbërritur të parët në ambientet e Parlamentit dhe janë takuar fillimisht me deputetët e të dy kampeve parlamentare, për shkak të nisjes me vonesë të seancës. Ambasadorët kanë qëndruar në ambientet e Kuvendit për disa minuta me radhë dhe kanë pritur nisjen e saj. Në përfundim të seancës, diplomatët kanë shmangur pyetjet e gazetarëve lidhur me procesin dhe mungesën e konsensusit midis palëve.
Berisha: Mbështes Zaganjorin, opozita të paraqesë kandidatë

Berisha e Patozi dje në mbledhjen e grupit të PD
Kryeministri: Vetëm nëse opozita sjell emra, do ketë konsultime