Braçe: Për të fituar betejën, duhet të korrigjohemi

Deputeti i PS-së, Erion Braçe, ka folur edhe për gabime në strukturat e PS-së
TIRANË- Deputeti i PS-së, Erion Braçe, flet pa doreza kur bëhet fjalë jo vetëm për strategjinë, që duhet të ndjekë PS-ja, por edhe për zhvillimet brenda saj. Në kongresin e djeshëm të PS-së, Braçe ka deklaruar se largimi i qeverisë është çlirim. "Dua të theksoj: ne duam të bëjmë demokracinë të funksionojë, nuk duam pushtetin e Sali Berishës! Pushtete të tilla kanë treguar që janë të përkohshëm.
Ata nuk garantojnë demokracinë, kufizojnë liritë politike e civile. Kjo ishte gjëja më e keqe që mund të na ndodhte, kjo po konsumohet. Ndaj, largimi i Qeverisë, praktikisht është çlirim! Ne nuk po kërkojmë zgjidhje simetrike, mobilizim të fortësh, gangsterë gjithfarësh dhe parash të pista, për të "garuar" në një palë e palo zgjedhje të radhës",- tha Braçe në Kongres.
Por, Braçe u fokusua jo pak edhe në punën brenda PS-së, si një prej politikanëve, që praktikisht është rritur në këtë parti. "Unë mendoj që partia jonë ka probleme! I mendoj ato parimore! Në këtë mes beteje në të cilën ndodhemi, edhe unë besoj që mesazhi duhet të jetë ai i betejës me regjimin dhe jo i një beteje me njëri-tjetrin, këtu apo kudo tjetër, publikisht.
Në anën tjetër, kjo nuk mund të jetë arsye që të na pengojë të korrigjojmë seriozisht funksionimin tonë, në çdo strukturë, pra funksionimin institucional",- tha Braçe, duke u fokusuar konkretisht në ato që i cilëson probleme. "Këto muaj, përballë nesh, ka pasur shokë që na kanë treguar pa institucione, pa rregulla, pa vendimmarrje, duke e ngatërruar keq këtë me arsyen e vërtetë se përse pas 28 qershorit ne nuk jemi në pushtet! Është koha të themi përfundimisht: ka shumë prova që tregojmë se, më 28 qershor ne na vodhën!
Por, ka edhe prova që burojnë nga funksionimi ynë kaotik, jo institucional, vendimmarrja formale, jo përfshirëse, struktura organizative e paqëndrueshme, jo efikase e jo militante, që dëshmojnë se ne vetë, për të gjitha arsyet e mësipërme, bëmë harakiri duke i hequr vetes çdo mundësi të ishim të përgatitur dhe të motivuar për t'u mbrojtur nga vjedhja! Korrigjimi sa më parë i këtyre gabimeve duhet të jetë avantazhi ynë për të fituar betejën që po udhëheqim!", - tha dje Braçe