E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhja e presidentit të Kosovës, Kurti: Afati kushtetues po afrohet, zgjedhjet e parakohshme nuk janë opsion

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se zgjedhjet e parakohshme nuk janë opsion, teksa  afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit po vjen drejt fundit. Gjatë një mbledhjeje qeveritare, Kurti nënvizoi se zgjedhja e presidentit mbetet detyrë kushtetuese e Kuvendit dhe kërkon vullnet politik nga të gjitha partitë.

“Asnjë subjekt politik nuk mund të sigurojë i vetëm 80 apo më shumë deputetë. Diskutimet duhet të zhvillohen mbi bazën e rezultateve zgjedhore dhe në interes të vendit,” tha ai.

Kurti shtoi se Kosova ka nevojë për stabilitet institucional dhe parashikueshmëri, ndërsa theksoi se një cikël i ri zgjedhor nuk do të sillte ndryshime të mëdha në rezultat, por do të vononte proceset, do të krijonte kosto shtesë dhe do të rrezikonte humbjen e mundësive dhe fondeve për vendin.

Po gjatë ditës së sotme, Kurti pritet të takohet me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar mbi çështjen e zgjedhjes së presidentit.

Kosova po hyn në një fazë vendimtare, ndërsa afati i caktuar nga Gjykata Kushtetuese, më 28 prill, po afrohet pa një marrëveshje të qartë politike. Nëse deri në fund të këtij afati nuk zgjidhet presidenti, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja brenda 45 ditëve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›