Dështon takimi Kurti –Abdixhiku, nuk ka marrëveshje për presidentin e Kosovës. LDK: Të bëhemi gati për zgjedhje të reja

Pas takimit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku, nuk është arritur asnjë marrëveshje për çështjen e presidentit, duke rritur gjasat për zgjedhje të reja.
Kurti tha se gjatë negociatave i ka ofruar LDK-së fillimisht bashkëqeverisje me postin e zëvendëskryeministrit dhe katër ministri, ndërsa më pas edhe mundësinë që LDK të drejtojë Kuvendin e Kosovës. Sipas tij, këto propozime janë refuzuar nga opozita, duke e bllokuar arritjen e një marrëveshjeje politike.
Kurti shtoi se mungesa e bashkëpunimit po e shtyn vendin drejt zgjedhjeve të reja, të cilat, sipas tij, mund të shmangeshin me marrëveshje politike.
“Kur u refuzua oferta jonë për bashkëqeverisje që LDK të ketë zëvendëskryeministrin dhe katër ministri nën shpjegimin që LVV nuk duhet t’i ketë të tri pozitat e larta shtetërore, atëherë ne bëmë një ofertë tjetër për LDK-në, e kjo është që pozita e kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarit të Kuvendit të pësojnë një rokadë, ashtu që ose nënkryetari i LDK-së ose dikush tjetër për të cilin përcaktohet LDK-ja të zë pozitën e kryetarit të Kuvendit, ndërkaq kryetarja aktuale e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së presidentes do të bëhej nënkryetare e Kuvendit, aty ku tash është pozita e LDK-së. Në këtë mënyrë ne do ta kishim edhe më tej qeverinë, nuk do t’i kishim zgjedhjet e panevojshme”, tha Kurti.
Nga ana tjetër, Lumir Abdixhiku deklaroi se nuk do të ketë më takime me Vetëvendosjen për këtë çështje, duke e konsideruar procesin të përfunduar pa rezultat. Ai tha se LDK nuk pranon që presidenti të jetë vazhdim i qeverisë dhe se një marrëveshje e tillë do të cenonte balancën institucionale.
“U përpoqa dhe provova, por nuk arrita marrëveshje,” u shpreh Abdixhiku, duke paralajmëruar se partia e tij do t’i kthehet përgatitjeve për zgjedhje të reja dhe organizimit të brendshëm politik.
“U dakordësuam që të mos takohemi më, dhe nuk kemi pse të takohemi sepse i harxhuam 53 ditë nuk patëm zgjidhje, prapë të takohemi edhe një herë të flasim për president të LVV-së, nuk ka kuptim. Edhe njëherë po them efektivisht LDK e konsideron të mbyllur këtë çështje. U përpoqa, provova, nuk arrita fatkeqësisht. Tani i kthehemi LDK-së e do t’i kthehemi misionit të madh të bashkimit të së djathtës. Duhet të bëhemi gati për skenarin e zgjedhjeve të reja dhe të jashtëzakonshme. Prej fillimit LDK ka qenë e qartë që presidenti s’duhet të jetë zgjatim i qeverisë. S’mund të ketë një qeveri që ka edhe presidentin e një partie, pra t’i ketë tri institucionet”, tha Abdixhiku.
/rtsh.al/