Zgjedhjet 2009, heshtje në selitë e partive të vogla

Heshtja zgjedhore e cila ka nisur një ditë para votimit të 28 qershorit, për partitë e vogla vazhdon ende. Mos fitimi i një mandati apo edhe një përqindjeje të konsiderueshme për një vend në parlament ka pllakosur heshtjen në zyrat e këtyre partive. Veç hyrjes dhe daljes së ndonjë punonjësi që duhet të plotësojë orarin zyrtar në këto zyra nuk shihen as kryetarët apo edhe aq më tepër simpatizantë të këtyre partive. Rezultata paraprake nuk kanë dhënë asnjë shpresë për to. Kamera e "Ora News" ka bërë një vëzhgim në të gjitha selitë e partive, te Lëvizja e Legalitetit, Partia Demokristiane, Demokracia Sociale apo edhe Social Demokrate për të parë se çfarë ndodh në ato katër ditë pas zgjedhjeve. Edhe pse kanë mbetur disa kuti votash të pa numëruara për këto parti nuk ka asnjë fije shprese për të zënë një karrige deputeti në parlamentin e ri. Të vetmet parti të vogla të cilat kanë tashmë një deputet të sigurt janë Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, Partia Republikane si dhe Partia për Drejtësi dhe Integrim. Por deri në numërimin votë pas vote të kutisë më të fundit gjithçka pothuajse mbetet e hapur, por kjo formulë vlen vetëm për partitë e mëdha të cilat tashmë janë në garë me njëra-tjetrën.