E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, Burgaj: Në gatishmëri 6200 efektivë dhe helikopterët e ushtrisë

TIRANE – Policia e Shtetit bën të ditur se ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Në një konferencë për shtyp, drejtori i përgjithshëm i policisë, Hysni Burgaj njoftoi se 6200 punonjës të policisë do të angazhohen për të ruajtur rendin e sigurinë gjatë procesit zgjedhor, dhe helikopterë të ushtrisë do të jenë në gatishmëri në rast nevoje për të ndërhyrë në zonat ku mund të ketë probleme.

“Veprimtaria e policisë do të fokusohet në drejtimin e marrjes dhe ruajtjes së QV dhe ndërhyrjen për rivendosjen e rendit publik në këto QV nëse do të kërkohet nga komisionerët. Do bashkëpunojmë me prokurorinë. Do shoqërojmë kutitë e votimit. Do bashkëpunojmë me përfaqësuesit e KZAZ. Monitorojmë sigurinë publike në nivel vendor e qendror , duke marrë çdo informacion me qëllim parandalimin e incidenteve. Shoqërimin e materialeve në KQZ.”- u shpreh Burgaj.

Në lidhje me fushatën elektorale, drejtori Burgaj tha se përgjatë një muaji janë shënuar 44 incidente.

“Kemi të bëjmë me incidente të lehta ku më të dukshme kanë qenë dëmtimet e posterave të subjekteve elektorale. Këto zënë 65 % të numrit të përgjithshëm. 25 % e rasteve kemi të bëjmë më kanosje e dhune. Reagimi i policisë në këto raste ka qenë i menjëhershëm duke kryer veprimet konform ligjit dhe vazhdon me intensitet puna për zbardhjen e ngjarjeve në Vlorë, Kukës, Prezë e Shkodër.”- tha Burgaj.

I pyetur nëse policia ka ndonjë listë të zonave zgjedhore që janë më të rrezikuara për tensione, Burgaj u përgjigj se për të mbajtur situatën nën kontroll janë vënë në dispozicion dhe helikopterë të ushtrisë.

“Jemi të përgatitur dhe kemi plan të veçantë për këto zgjedhje. Kemi vënë në dispozicion helikopterë të ushtrisë në zona në gatishmëri për të vepruar në çdo rast, dhe forca të gatshme për të vepruar në çdo moment”- shpjegoi ai. 

(vijon)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›