Zgjedhjet, Dule: Numërimi u bë keq. Të krijohet qeveri teknike
TIRANË- Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule ka deklaruar sot se vendi ka të domosdoshëm krijimin e një qeverie teknike. Gjatë një konference për shtyp duke analizuar zgjedhjet e 28 qershorit, Dule ka thënë se procesi paszgjedhor ka shënuar një sërë problemesh. Sipas tij, procesi i numërimit është kryer keq, madje ka tjetërsuar vullnetin politik. "Zgjedhjet po delegjitomohen çdo ditë"- ka thënë Dule, duke shtuar se në kushte te tilla, duhet krijuar një qeveri teknike, ndërkohë që vendi të përgatitet për zgjedhje të reja.
Dule ka thënë prerë se nuk do të pranojë asnjë ftesë për pjesëmarrje në qeverinë e Berishës, duke shtuar se forca që ai drejton nuk është për pazare anadollake.
"Ne po diskutojmë për ideale dhe ju më flisni për pazare anadollake. Nuk është në karakterin tonë dhe nuk do i hyjmë këtij lloj pazari"- ka thënë ai.
Ai ka lëshuar kritika edhe në drejtim të Partisë Socialiste me të cilën PBDNJ ishte në koalicion që para zgjedhjeve. "Partia Socialiste si aleate dhe sipas angazhimeve të marra nuk mbrojti votën e PBDNJ-së, nëpërmjet komisionerëve, numëruesve dhe vëzhguesve. Vota duhej mbrojtur gjatë numërimit. Nuk ekzistonte vullneti, apo nuk pati mundësi, kjo mbetet për t'u diskutuar", deklaroi ai.