Bien të ardhurat tatimore, thellohet deficiti
Qeveria po rrit taksat doganore për të kompensuar rënien e të ardhurava nga TVSH dhe akcizat
Deficiti arrin në 350 milionë USD, ose 60 milionë më shumë se plani. Privatizimet përdoren për deficitin
Hendeku mes të ardhurave dhe shpenzimeve në vend është thelluar edhe më tej gjatë qershorit. Kriza botërore dhe shpenzimet e mëdha të kryera gjatë pjesës së parë të këtij viti kanë tejkaluar parashikimet për deficitin.
Deficiti buxhetor për gjashtë muajt e parë të vitit 2009 është tejkaluar me rreth 60 milionë dollarë. Në total deficiti arriti në fund të qershorit 31.6 miliardë lekë, ndërkohë që qeveria e kishte planifikuar atë të ishte vetëm 25.9 miliardë lekë, ose 22.3 për qind më shumë.
Efektet e krizës botërore janë ndjerë ndjeshëm në vendin tonë, ku administrata tatimore dhe doganore nuk kanë mundur të realizojnë planin e të ardhurave të parashikuar për këtë 6-mujor.
Kështu totali i të ardhurave rezulton me një deficit prej 11.1 miliardë lekësh, ku 10 miliardë vijnë si mosrealizim i të ardhurave nga tatimet dhe doganat.
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, të ardhurat nga akciza dhe tatim fitimi nuk kanë rezultuar sipas planit të hartuar për këtë vit. Tabela e treguesve fiskalë sipas buxhetit të konsoliduar të vitit 2009 tregon për një mosrealizim të ndjeshëm në të ardhurat e këtyre tatimeve.
Në vend të parë renditen të ardhurat nga akcizat të cilat për gjashtë muajt e parë të këtij viti rezultojnë më një mosrealizim prej afro 55 milionë dollarësh. Gjatë periudhës janar-qershor janë arkëtuar rreth 14.4 miliardë lekë, nga 19.8 miliardë të parashikuara. Më pas renditen të ardhurat nga TVSH-ja, e cila jep një kontribut të madh në të arshurat tatimore.
Gjatë pjesës së parë të këtij viti janë mbledhur rreth 52.1 miliardë lekë, nga 55.2 miliardë që ishte plani. Edhe të ardhurat nga tatim fitimi kanë rezultuar negative. Për këtë periudhë janë arkëtuar rreth 9.1 miliardë lekë, ose 1.5 miliardë më pak nga plani.
Mosrealizimi i këtyre të ardhurave duket se është arsye kryesore e ndryshimit të mënyrës së zhdoganimit të mallrave që importohen nga vendet të cilat nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian.
Prej javës së shkuar mallrat që vijnë nga këto vende kryesisht nga Kina po zhdoganhen në bazë të peshës dhe jo sipas numrit të artikujve, duke rritur deri në tre herë vlerën e zhdoganimit të këtyre mallrave.
Zyrtarë të qeverisë pohuan se vendimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave është bërë për të eleminuar abuzimet mes doganierëve dhe importuesve dhe se pesha ishte një tregues i saktë, që eleminon abuzimet.
Një ndër zërat e vetë me bilanc pozitiv gjatë këtij 6-mujori janë vetëm të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale, me rreth 29 për qind më shumë se plani. Ndërsa të ardhurat nga pushteti vendor nuk kanë dhënë asnjë surprizë, duke vazhduar të mos arrijnë planin.
Investimet
Në kontrast me të ardhurat tatimore, shpenzimet publike janë të vetmet që janë realizuar me sukses, madje duke tejkaluar planin. Nga 44.1 miliardë lekë të planifikuara për investime janë realizuar 46.7 miliardë lekë, se më shumë se 25 milionë dollarë.
Investimet me financim të brendshëm janë tejkaluar me 12.7 për qind, duke arritur në 40.8 miliardë lekë, ku 24.7 miliardë kanë shkuar për rrugën Durrës-Kukës.
Kryerja e investimeve mbi planin, i dedikohet edhe fushatës elektorale, e cila ka ndezur motorët për kryerjen e tyre që në pjesën e parë të vitit, gjë e cila nuk ka qenë traditë vitet e kaluara, pasi pjesa më e madhe e shpenzimeve kapitale kryhej në pjesën e fundit të vitit.
Në këtë situatë, qeveria ka përdorur paratë e privatizimeve dhe borxhet për të përballuar shpenzimet e larta dhe kompensuar rënien e të ardhurave tatimore. Kështu për gjashtë muajt e parë të këtij viti janë përdorur rreth 20.8 miliardë lekë të ardhura nga privatizimet për të financuar deficitin buxhetor.
Paralajmërimet për këtë situatë janë bërë vazhdimisht gjatë këtyre muajve nga Banka e Shqipërisë, ku guvernatori i ka kërkuar qeverisë të orientojë shpenzimet, sipas prioriteteve dhe të lërë për më vonë ato që nuk janë urgjente. E. Hoxha
Emërtimi Faktiku 6-mujor Plani 6-mujor Diferenca Realizimi në %
Deficiti -31.6 mld lekë -25.8 mld lekë -5.75 mld 122.3%
Të ardhurat tatimore 133.1 mld lekë 143 mld lekë - 10 mld lekë 93%
TVSH 52.1 mld lekë 55.2 mld lekë - 3.1 mld lekë 94.41%
Akcizat 14.4 mld lekë 19.8 mld lekë - 5.4 mld lekë 73%
Tatimi mbi fitimin 9.1 mld lekë 10.6 mld lekë - 1.5 mld lekë 86.3%
Shpenzimet kapitale 46.7 miliardë lekë 44.1 mld lekë 2.5 mld lekë 105.7%
Financimi i brendshëm 40.8 mld lekë 36.2 mld lekë 4.6 mld lekë 112.7%