E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet KQZ test paraprak per numerimin elektronik te votave

Nën syrin vëzhgues të diplomatëve të huaj, u zhvillua sot testi i parë për projektin e numërimit elektronik të votave. Ky projekt do të aplikohet në Fier më 23 qershor, ndërsa kreu i zyrës së OSBE-së në Tiranë u shpreh i kënaqur nga testimi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe firma spanjolle INDRA zhvilluan në palestrën e shkollës Hasan Prishtina në Tiranë, testin e parë për projektin numërimit elektronik të votave që do të aplikohet në Fier në zgjedhjet e 23 qershorit.

Procedura nis me hapjen e kutive dhe shpalosjen e fletëve të votimit nga një ekip i posacëm. Më pas fletët kalojnë në procesin e skanimit ku lexohet elektronikisht edhe preferenca e shprehur nga votuesi. Para se të shpallen të pavlefshme, fletët e votimit që nuk njihen nga sistemi lexohen nga anëtarët e komisionit zonal të cilët marrin edhe vendimin.

Testi i zhvilluar në kushte reale me 6 mijë fletë votimi, pritet të përsëritet edhe një herë në Fier në fillim të qershorit. Por numërimi elektronik I votës rrezikon dështimin për shkak të numrit të lartë të partive pjesëmarrëse në zgjedhje. Deri të premten në KQZ janë regjistruar 65 parti pjesëmarrëse ndërsa fleta e votimit për këtë project parashikon 42 forca politike.

Gjithsesi, ambasadori I OSBE-së, Eugen Ëollfarth, u shpreh I kënaqur nga rezultati I testit.

“Mendoj se kjo është një përgatitje solide nga ana e KQZ-së për të patur zgjedhje sa më të mira në 23 qershor. Unë shoh dhe kam një përshtypje të mirë për atë që po zhvillohet sot këtu dhe shpresoj që kjo do të rrisë besimin e publikut në procesin zgjedhor. Shoh që po bëhet një punë e mirë nga KQZ dhe një punë profesionale nga të gjithë që janë të pranishëm këtu sot”- u shpreh ambasadori i OSBE-së.

I pyetur mbi ngërcin politik të krijuar pas kërkesës së Partisë Demokratike për të ndryshuar anëtarët e KQZ-së, Ëollfarth tha se kryefjala e cdo vendimi duhet të jetë zbatimi I Kushtetutës.

“Eshtë e rëndësishme që të ketë një punë apolitike nga KQZ dhe kjo që pamë sot këtu tregon se ajo po bëhet në mënyrë të tillë, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Kushtetuta është baza e të gjitha ligjeve në cdo vend demokratik. Kushtetuta përbën bazën dhe pastaj vijnë ligjet”- deklaroi Volfarth.

Në zgjedhje sovrani është populli, tha ambasadori I OSBE-së, dhe ai duhet të vendosë. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›