Zgjedhjet Kandidatët për kreun e FM tregojnë shanset për postin
Kandidatët për dekan të Fakultetit të Mjekësisë tregojnë pikat e forta dhe platformat e tyre pak ditë para zgjedhjeve
Gara për dekanë në Fakultetin e Mjekësisë ndryshe nga fakultete e tjera, ku fushata e zgjedhjeve nuk ndihet, aty paraqitet e nxehtë. Fushat e kandidatëve është në kulmin e saj. "Jam kandidat me CV të pasur, dhe nuk jam kunati i shokut Xhemal!. Studentëve dhe kolegëve do t'u ofroj atë çfarë i kam ofruar prej kaq vitesh". Kështu është shprehur kandidati për kreun e Fakultetit të Mjekësisë, Nikollaq Koçani, i cili ka zgjedhur të kandidojë për kreun e FM-së. Ndërkohë që në garë për kreun e këtij fakulteti janë plotë pesë emra, që të gjithë figura të njohura të këtij fakulteti. Një nga kandidatët pretendentë për dekan është Alfred Priftanji, kunati i ministrit të Arsimit, Genc Pollo. Shefi i Shërbimit të Alergologjisë, Priftanji, njëherësh dhe pedagog prej shumë vitesh në Fakultetin e Mjekësisë, ka preferuar të heshtë për këtë çështje duke shpalosur platformën e tij, ku i premton studentëve heqjen e stazhit, kurrikula të reja, bursa, specializime. Një kandidat tjetër me përvojë për kreun e FM-së, ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Eduard Hashorva, lidhur me kandidaturën e Alfred Priftanjit shprehet se, "ai është profesor me eksperiencë dhe miku im". Ndërkohë që kandidatja tjetër, Anila Godo, ish-zëvendësdekane, është shprehur se lidhja e kandidatit Priftanji me ministrin Pollo edhe mund ta favorizojnë atë.
Shmangia
"Kandidatët për dekan i janë shmangur debatit me njëri-tjetrin. Përmes një debati të hapur ne do ballafaqonim platformat e njëri-tjetrit",- është shprehur Eduard Hashorva. Sipas tij, pedagogëve, studentëve nuk po i ofrohen alternativa në mënyrë që ata të gjykonin më realisht për drejtuesin e ardhshëm të Mjekësisë. "I kam propozuar kolegëve një debat publik përballë njëri-tjetrit, para zgjedhësve për programet. Ky propozim nuk u mbështet nga kandidatët. Nuk e di pse",- tha ai. Një nga kandidatët që gëzon përkrahje të gjerë nga Profesorati dhe studentët, është Anila Godo, ish-zëvendësdekane për shumë vite në këtë fakultet dhe në strukturat e larta të arsimit. Në lidhje me kandidatët e tjerë, Godo është shprehur se, vlerëson kolegët dhe bën thirrje që zgjedhjet të zhvillohen të ndershme dhe të evitohet çdo lloj manipulimi.
Platformat
Që të gjithë janë të vetëdijshëm se Fakultetit të Mjekësisë ka nevojë për reforma dhe për këtë duhet një dorë e fortë që ta reformojë. Secili në mënyrën e vet, pretendon se është i duhuri. Në platformat e tyre renditen qartë strategjitë se si mund të ishte ky fakultet, nëse ata do të zgjidheshin, ndërkohë i largohen debatit të hapur. CV-të e tyre janë të lidhura me këtë fakultet. I njohin mangësitë dhe problematikat të trashëguara pas viteve '90 dhe në vazhdim dhe asnjëri nuk ngurron të thotë: "Jam i duhuri". Një gjë është e qartë, këtë vit, si asnjëherë më parë kandidatët janë të pajisur me platforma të qarta. Përmes takimeve me studentë dhe pedagogë ata kanë shpalosur pikat e forta, duke i kërkuar studentëve dhe kolegëve votën. Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në fakultet, vota e studentëve ka peshën e duhur. Kështu studentët, për herë të parë do jenë pjesë e rëndësishme në zgjedhjen e dekanëve.
Hashorva: Mjekësia, pa klane dhe grupazhe
Çfarë do të ndryshoni në Fakultetin e Mjekësisë nëse do zgjidheshit dekan?
Kthimin i besimit të pedagogëve, personelit administrativ dhe studentëve se mund e duhet të punohet me ndershmëri. Të largoja frymën e grupazheve, klaneve e luftës së paprinciptë. Do të vlerësoja dhe vija në eficiencë drejtimin kolegjial dhe rolin e Këshillit të Fakultetit dhe të departamenteve, në mbarëvajtjen e punëve në fakultet. Ngritja e mekanizmave të transparencës së plotë e për gjithçka, është e domosdoshme. Dera e dekanit do të jetë e hapur për të gjithë ata që kanë nevojë, në çdo kohë. Dekan me angazhim të plotë e jo part- time me mendje te klinika, drejtues e menaxher me përvojë e aftësi profesionale. Reformim i mënyrës së drejtimit dhe menaxhimit të fakultetit, duke synuar modelet
moderne të administrimit e ndëshkim të abuzimeve e keqpërdorimeve te burimeve të fakultetit. Krijimi i kushteve të domosdoshme të punës për pedagogët e studentët (auditore e laboratore) me pajisjet e nevojshme për të zhvilluar normalisht mësimdhënien.
Ndryshimi i platformës suaj nga ajo e kandidatëve tjerë?
Rivalët i vlerësoj si pedagogë të vjetër e me përvojë. Për të njohur më mirë platformat e njëri-tjetrit dhe për të mundësuar që zgjedhësit tanë (pedagogët, studentet e personeli tjetër administrativ) të gjykonin më realisht për drejtuesin e ardhshëm, propozova para disa ditësh një debat publik midis kandidatëve para zgjedhësve për programet. Ky propozim i im nuk u mbështet nga kandidatet e nuk do të zhvillohet.
Anila Godo: Mjekësia të shkëputet nga UT
Postin e dekanit të Fakultetit të Mjekësisë, Anila Godo e konsideron funksionin më të rëndësishëm dhe të vështirë. “Kam ndërmend që të realizoj projektin më ambicioz. Po të fitoja kreun e Mjekësisë, do të jetë shkëputja e Fakultetit të Mjekësisë nga Universiteti i Tiranës”,- është shprehur Godo, duke shtuar më tej se do të jetë në shërbim të fakultetit, pedagogëve e studentëve “non stop”. “Projekti më ambicioz do të jetë shkëputja e FM nga UT dhe krijimi i Universitetit Mjekësor më vete, gjë që do të tërhiqte, gjallëronte e do të vinte në lëvizje potenciale të shumta e të fjetura, siç ndodh kur dikujt i ofron fuqi, përgjegjësi e një të ardhme më të mirë. Stafi pedagogjik e studentor do të japë më të mirën e tyre, pasi do të kenë maksimumin e kushteve dhe motivimin e pretenduar e të merituar. Vetadministrimi, në nivelin më të lartë, do të joshë e do të nxisë në maksimum aftësitë menaxhuese në lëmin pedagogjik dhe shëndetësor, do të krijojë kushtet më të mira për një bashkëpunim e fuzionim të universitetit me klinikën, si të vetmen rrugë të progresit të dyanshëm. Ky projekt, që aktualisht përbën objekt diskutimesh e konsultimesh në organet vendimmarrëse, më ngacmon fort, pasi më sjell imazhin më të efektshëm të një qendre spitalore universitare dinjitoze. Avantazhi im, është se unë kam qenë e jam pjesë e shumë strukturave që merren gjallërisht me këtë reformë. Nga ana tjetër, të qenët deri me sot zv.dekane për anën studentore, më bën të ndihem e faktikisht të jem njohëse më e mirë dhe më e ndjeshme ndaj tërë problemeve të kësaj fushe”,- është shprehur Godo
Alfred Priftanji: Do të heq stazhin
Studenti do të ketë të drejtë të japë provimin disa herë në vit, në datat e paracaktuara nga seksioni përkatës. Këtu mbështetet platforma e kandidati për dekan, Alfred Priftanji, sipas të cilit, do të bëhet liberalizimi i të drejtës së provimit, pasi kjo do përmirësojë cilësinë e kontrollit të njohurive dhe do kufizojë fenomenin e mitmarrjes. Më tej, ai premton se realizimi i programeve të shkëmbimeve studentore me universitete të huaja, programet dhe projektet e bursave internacionale për studime universitare ose pasuniversitare. Një pikë tjetër, sipas Priftanjit, e cila ka nevojë të riorganizohet është vlerësimit periodik online nga ana e studentëve të procesit të mësim-dhënies dhe të stafit pedagogjik. Ri-afirmimi dhe ngritja në një nivel sa më bashkëkohor në mësimdhënie, në klinikat universitare dhe në kërkimin shkencor është strategjia që do të zbatojë kandidati për Fakultetin e Mjekësisë, Alfred Priftanji. “Misioni i Fakultetit të Mjekësisë duhet të konsistojë në rritjen e nivelit dhe vlerës të aktivitetit kërkimor-shkencor. Për kushtet aktuale, vëmendje e veçantë duhet të tregohet në zhvillimin e kërkimit shkencor klinik dhe të aplikuar, duke përfshirë edhe formimin dhe përgatitjen e ekipeve të ekspertëve të aftë t’u përgjigjen kërkesave të studimeve klinike dhe atyre multicentrike”,- u shpreh Priftanji. Fakultetit i Mjekësisë, sipas tij, duhet të inkurajojë pjesëmarrjen e profesorëve të vet në planifikimin, organizimin dhe përmirësimin e kujdesit dhe shërbimit shëndetësor, si edhe përpunimin e zgjidhjeve optimale për problemet kryesore të shëndetësisë.