Zgjedhjet, Nishani: Duhet civilizim, të shmangen retorikat agresive
Tiranë- Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka zhvilluar pasdite një takim me studentë, pedagogë dhe rektorë në ambientet e Presidencës, ku është diskutuar për arsimin dhe aktualitetin politik në vend.
Kreu i shtetit në këtë bashkëbisedim ka folur edhe mbi zgjedhjenet e 23 qershorit, duke ju bërë apel partive që të jenë të civilizuara dhe të mos ketë retorika agresiviteti.
Zgjedhjet që do të zhvillohen në një vend demokratik mbeten të një rëndësie të vecantë jo vetëm ato të radhës. Ne jemi në prag të fushatës elektorale, si president dëshiroja që ju akademikët, studentët e pedagogët që jeni pjesë e elitës dhe që me opinionet qëndrimet e komentet duhet të udhëhiqni më tej proceset emancipuse të shoqërisë. Fushatat kanë një dozë të caktuar emocionaliteti, por nuk duhet të dominohen nga emocionet. Dozat e tepruara, retorika agresive vetëm prodhojnë fanatikë dhe fanatizëm, që mund të kthehen në problem për të gjithë, tha Presidenti.
Më tej ai u shpreh se ushtrimi i të drejtës së votës të mos udhëhiqet nga interesi i çastit dhe i ditës, por nga principet. Duke shtuar se kur të udhëhiqemi nga principet do kemi arritur një pjekuri shumë të lartë të shoqërisë.
Shoqëria shqiptare ka evoluar në këto 20 vite, në gjykim, në veprim, në krijimin e perceptimit. Qytetarët shqiptarë meritojnë respektin, i cili jetësohet tek mënyra e sjelljes politike, institucionale dhe civile gjatë kësaj fushate. Ne si shoqëri meritojmë të matemi të vlerësohemi me këto parametra, të qënit në një shoqëri që vërtet të shkuarën e ka pasur me probleme, por ajo shërben për të rigjeneruar më shumë ambiciet. Ftoj të gjithë qytetarët të angazhohen në këtë sjellje civile, tha ai më tej.
Presidenti ka folur edhe për procesin e integrimit të vendi, duke thënë se është një hap mjaft i rëndësishëm, por sipas tij duhet të jetë i qetë dhe paqësor, ku secili të mbajë prgjegjësinë e tij.