E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet PS cakton kriteret

Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste përcaktoi zyrtarisht kriteret për kandidatët për kryetarë bashkish dhe komunash për zgjedhjet lokale të 8 majit.

Strukturave lokale do t'u shpërndahet udhëzimi i detajtuar me këto kritere, të cilat i parashtroi përpara gazetarëve sekretari organizativ Blendi Klosi.

Kandidatët duhet të plotësojnë kërkesat e përcaktuara nga Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor, të kenë kontribut dhe angazhim politik dhe të kenë njohuri mbi programin politik të partisë në nivel kombëtar dhe vendor, ata duhet të kenë arsim të lartë dhe aftësi menaxheriale, të jenë aktivë dhe të njohin problematikën e zonës ku kandidon.

Në çdo rast, përzgjedhja e emrave do të jetë kompetencë e kryesisë së partisë, që do të vendosë brenda datës 27 mars.

Po ashtu kryesia e partisë u autorizua nga asambleja për të negociuar me aleatët.

Gjatë këtyre negociatave do të vendoset edhe për zonat e lira që socialistët do t'u lënë aleatëve në garën e 8 majit.

Asambleja socialiste, ndryshe nga çdo herë tjetër, diskutoi me dyer të mbyllura dhe mungoi fjala tradicionale e hapjes nga kreu i partisë Edi Rama.

Por pavarësisht kësaj, nuk munguan diskutimet e shumta për situatën dhe sjelljen politike të socialistëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›