E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zgjedhjet e 11 majit, Blushi: Do vazhdojmë denoncimin e farsës elektorale. Asnjë krisje me PD

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi i ka qëndruar akuzave të opozitës për zgjedhjet e 11 majit, duke i konsideruar si farsë elektorale. Në një intervistë në studion e RTSH24, Blushi tha se ata do vijojnë me denoncime të parregullsive të konstatuara në zgjedhje, ndërsa shtoi se presin edhe më shumë prova nga procesi i rinumërimit të votave.

“Ky terror nuk mund të pranohet, është fakt që me Edi Ramën kryeministër nuk mund të jetë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe jam i bindur që nga ky proces rinumërimi do të ketë prova të tjera të këtij krimi elektoral. Ishte një proces votimi, rezultati i të cilit është i paracaktuar”, u shpreh ai.

I pyetur në lidhje me marrëdhëniet e PL-së me Partinë Demokratike, Blushi tha se mes tyre vijon të ketë “një bashkëpunim të shkëlqyer”.

“Nuk ka asnjë krisje mes nesh dhe PD-së. Bashkëpunimi ynë vazhdon të jetë i shkëlqyer. Ne jemi sëbashku në front, jo vetëm për të denoncuar terrorin elektoral, por edhe për të vijuar atë opozitë që meriton sot Shqipëria”, theksoi ai.

Blushi, i cili siguroi një mandat deputeti në Tiranë në zgjedhjet e 11 majit, tha se në Kuvend, ai dhe 3 deputetët e tjerë të PL-së, do të kenë si prioritet interesin publik.

“Interesi publik është i vetmi prioritet madhor i PL-së, ne 4 deputetët do të jemi vetëm zëdhënës të atyre kauzave madhore për të cilat Presidenti i Partisë së Lirisë po lufton. Ne vërtetë jemi katër, por në Kuvendin e ri do të jemi të barabartë me 40 deputetë sepse është detyra jonë për të dyfishuar aksionin opozitar”, theksoi Blushi.

Partia e Lirisë garoi si pjesë e koalicionit PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore në zgjedhjet e 11 majit. Në total, koalicioni mori 51 mandate, ndërsa nga PL dolën 4 deputetë, Tedi Blushi, Erisa Xhixho, Brunilda Haxhiu dhe Edmond Haxhinasto.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›