E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Zgjedhjet e 11 majit, Blushi: Kemi caktuar kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi tha sot se më 11 maj opozita dhe Partia e Lirisë do të korrin një fitore masive. Ai tha se Partia e Lirisë ka përcaktuar kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 11 majit.

Në një takim me strukturat e Partisë së Lirisë në Tiranë, Blushi kërkoi angazhim maksimal për të maksimizuar votën, duke kërkuar vëmendje edhe për diasporën.

“Në aspektin organizativ, ne kemi përcaktuar kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve për deputet të Partisë së Lirisë në të gjithë vendin, kemi ngritur Komisionin e Organizimit të Qarkut të Tiranës dhe sot do të diskutojmë për thirrjen sa më shpejt të Konventës Drejtuese të Tiranës, me qëllim përcaktimin e detajeve të tjera të fitores tonë të padiskutuar në kryeqytet dhe marrjen e vendimeve shumë të rëndësishme në funksion të përgatitjeve elektorale të Partisë së Lirisë për zgjedhjet e 11 majit, që janë vendimtare për të ndaluar shpërbërjen dhe shpopullimin e Shqipërisë.

Megjithatë është e rëndësishme që tani natën ta kthejmë ditë dhe të nxitojmë në çdo strukturë partie, për çdo qendër votimi, me analizë konkrete për të ndezur flakë motorët e fitores së padiskutuar dhe për të prezantuar derë më derë programin tonë të shkëlqyer, “5 Prioritetet për 4 milionë shqiptarë plus””, tha Blushi.

Ai shtoi se “përballë kemi një sfidë tepër të rëndësishme politike dhe elektorale. Është një malore e vështirë, por jo e pamundur për t’u kapërcyer dhe për t’u fituar.

Blushi theksoi se presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u arrestua për shkak të denoncimeve të vazhdueshme të tij kundër qeverisë dhe Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë u shpreh se forca e PL është programi.

“Programi ynë, tërësisht i financueshëm dhe i certifikuar, nis me ndalimin e shpopullimit si Prioritet i Parë dhe kulmon me shndërrimin e Shqipërisë në fuqi eksportuese në Rajonin tonë. Ndaj vota për Partinë e Lirisë dhe Ilir Metën do të jetë masive, spektakolare dhe e paparë ndonjëherë sepse shqiptarët do të votojnë më 11 maj për lirinë e tyre në radhë të parë”, tha Blushi.

Ai kujtoi premtimin për zonat e lira ekonomike, rritjen progresive të bonuseve për fëmijën e parë, fëmijën e dytë dhe të tretë, si një politikë për të nxitur lindshmërinë.

“Ne propozojmë një sistem fiskal dhe doganor favorizues për krijimin e zonave të lira ekonomike dhe teknologjike, me potencialin për të thithur investitorë të huaj seriozë dhe të fuqishëm”, tha Blushi.

Blushi shtoi se “Partia e Lirisë ka qenë forca e parë politike që ka mbështetur fuqishëm garantimin e votës për diasporës”.

“Partia e Lirisë”, tha Blushi, “është e angazhuar që në qeverisjen e saj të ketë një ministri për diasporën, jo për të krijuar evente, por për të nxitur politika, ura komunikimi mes diasporës dhe shtetit shqiptar me qëllim që ata të rikthehen dhe të investojnë në Shqipëri.

Po ashtu do të krijohet zyra për diasporën në çdo ambasadë për krijimin e evenimenteve kulturore, për të ofruar mbrojtje ligjore, trajnime për riintegrimn e diasporës në vendin tonë përmes lehtësirave që do krijojmë me politikat që do të ndërmerren, por edhe do të hapim dyert për profesionistët e diasporës shqiptare kudo ku ndodhen, që të vijnë të investojnë në Shqipëri”, përfundoi Blushi.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›