Zgjedhjet e 11 majit, Klosi: Dibra – “kali ynë i betejës”, përmbysje e fortë e rezultatit

TIRANË, 27 janar/ATSH-Maela Marini/ Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, njëherësh drejtues politik i PS-së në qarkun e Dibrës, Blendi Klosi u shpreh sot se “kali i betejës” në zgjedhjet e 11 majit do të jetë Dibra, që do të sjellë një përmbysje të fortë të rezultatit në favor të PS-së.
I ftuar në një studio televizive, Klosi foli për organizimin e PS-së për zgjedhjet e 11 majit, ku shprehu bindjen se “PS do të fitojë mandatin e katërt”.
Klosi theksoi se gara e Tiranës është një garë e madhe pasi bëhet fjalë për 37 mandate, por “kali i betejës”, sipas tij, është Dibra.
“Në Tiranë gara është e madhe, sepse janë 37 mandate, por për mua ‘kali i betejës’ këtë radhë do të jetë Dibra, ku pritet të ketë përmbysje të fortë të rezultatit. Do të ketë përmbysje pozitive për PS-në. Asnjëherë nuk kemi arritur të dalim qartë pozitiv, tani kemi të gjitha pritshmëritë të dalim pozitiv në qarkun e Dibrës”, tha ai.
Ndërkohë Klosi argumentoi edhe shtimin e drejtuesve politikë në qarkun e Tiranës.
“Tirana ka një numër shumë të madh mandatesh, votuesish dhe shtrirje shumë të madhe në territor. Në Tiranë do të garojnë jo vetëm forcat e mëdha për të marrë mandatet e tyre, por do të ketë edhe parti të tjera. Të gjitha partitë do të tentojnë Tiranën. Kështu që është logjike që Tirana të mos ketë vetëm 3 drejtues politikë”, shtoi ai.
Klosi theksoi se Tirana është një betejë shumë e rëndësishme ku do të garojnë 37 kandidatë në listë të hapur dhe 12 në listë të mbyllur.
“Janë 49 emra të spikatur të PS-së, përfaqësues të kësaj force politike. Është më shumë se 1/4 e grupit të deputetëve ndaj pritet të ketë garë, të luftohet për çdo votë dhe të kemi rezultat shumë pozitiv”, theksoi ai.
Lidhur me regjistrimin e shqiptarëve jashtë vendit për të votuar në zgjedhjet e 11 majit, Klosi tha se po kërkohet të ndryshohen rregullat e lojës, edhe kur procesi ka filluar.
“Po vendosim kontaktet për të asistuar procesin e regjistrimit. Procesi nuk është i vështirë për t’u bërë, por ka disa kleça teknike. Dëshira jonë është të nxisim regjistrimin e sa më shumë shqiptarëve. Është një ushtrim elektoral”, tha ai.
/a.f/r.e/