Zgjedhjet e 14 Majit/ Meta takon Ambasadorin e OSBE në Tiranë: Qeveria po ushtron presion mbi administratën

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka pritur sot në një takim Ambasadorin e ri të Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasador Guido De Sanctis, ku në fokus të bisedës ishin zgjedhjet vendore. Meta ka shprehur shqetësimet për situatën parazgjedhore dhe presionet që po i bëhet administratës publike në funksion të qëllimeve elektorale të qeverisë. Reforma Zgjedhore, regjistrimi i PD, uzurpimi i Parlamentit, ishin disa prej pronblematikave që Meta i ka shprehur Ambasadorit De Sanctis.
“Mirëprita në një takim ditën e sotme, Ambasadorin e ri të Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasador Guido De Sanctis. Diskutuam gjerësisht për realizimin me një standard të lartë të zgjedhjeve të 14 Majit, si moment politik shumë i rëndësishëm për vendin. Ndava me Ambasadorin De Sanctis: 1. Shqetësimet lidhur me situatën parazgjedhore e në mënyrë të veçantë mbi presionet dhe shpërdorimin e administratës publike në funksion të qëllimeve elektorale të qeverisë. 2. Ecurinë shumë problematike të Reformës Zgjedhore, e në veçanti të punës së Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, i cili për shkak të vullnetit negativ të mazhorancës nuk po adreson çështjet thelbësore që kanë dëmtuar rëndë standardin e zgjedhjeve.
3. Bllokimin e paligjshëm të regjistrimit të PD-së për shkak të kapjes së gjykatave nga kryeministri. 4. Uzurpimin e veprimtarisë së Parlamentit për shkak të akteve antikushtetuese të maxhorancës duke penguar komisionet hetimore, interpelancat, debatin parlamentar, pra kontrollin dhe llogaridhënien nga Parlamenti. Në veçanti e njoha me të gjitha projektligjet e Partisë së Lirisë, të cilat janë bllokuar me arrgoancë nga mazhoranca, në kundërshtim me rregulloren dhe procedurat e Parlamentit”, shkruan Meta në rrjetin social Facebook.
/rtsh.al/