E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Mbyllja e votimit, Berisha: Garantoj qytetarët se vota e tyre do të peshojë më shumë se kurrë

Sali Berisha, kreu i “Rithemelimit” të PD-së, në një dalje të parë pas mbylljes së qendrave të votimit, ka falenderuar të gjithë qytetarët që votuan në zgjedhjet vendore.

Sipas tij, qytetarët votuan në kushtet nga më të jashtëzakonshme, por u ngritën mbi çdo gjë dhe folën me votën e tyre “me guxim dhe vendosmëri”.

“Guximi, vendosmëria, përgjegjësia e qytetarëve sot ishte epike. Pjesëmarrja ka qenë jo ajo që duan ta zvogëlojnë të dëshpëruarit, ata që bënë gjithçka kundër këtij procesi, por një pjesëmarrje nga më të denjat për qytetarët në të katër anët e vendit.
Unë kam vlerësimin më të lartë, mirënjohjen më të pakufishme të të gjithë atyre të rejave, të rinjve, burrave dhe grave që qëndruan në krye të përgjegjësisë në komisionet e votimit. U përballën me presione dhe kërcënime nga më të papranueshmet, por kryen me nder para shqiptarëve një detyrë që është mbi të gjitha detyrat. Në kushte paqeje, kjo është detyrë mbi të gjitha detyrat.

Iu bëj thirrje, me atë përgjegjësi që dëshmuan gjatë ditës, me atë guxim me të cilin përballuan presionet e egra të mafies shtetërore, të bandave të kësaj mafieje dhe oligarkëve dhe bandave të saj, po me atë përgjegjësi dhe vendosmëri të numërojnë çdo votë. Garantoj qytetarët se vota e tyre do të peshojë më shumë se kurrë se asnjëherë. Se kjo betejë është një betejë e një rëndësie historike dhe këtë betejë do e fitojnë vetëm ata të cilët mbrojnë kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme,” tha Berisha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›