Zgjedhjet e 23 qershorit Rama do te kryesoje garen ne qarkun Vlore
Kreu i PS-se, Edi Rama do të kryesojë qarkun e Vlorës në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Një fakt i tillë është konfirmuar nga vetë Rama, i cili gjatë një komunikimi me mediat, ka përjashtuar jo vetëm prezencën e pakënaqësive ndër ata që nuk do të kandidojnë apo nuk janë pjesë e renditjes fituese në listat shumëemërore të kandidatëve për deputetë, por ka nxituar të hedhë poshtë të gjithë publikimet në media rreth deputetit Braçe. Sipas tij, lajmet që thonë se Braçe nuk do të kandidojë janë thjesht spekulime, pasi nënkryetari i grupit kuvendor është pjesë e ekipit garues të PS-së.
“Falenderoj dhe shpreh vlerësimin maksimal për ata që nuk janë përfshirë në lista, por janë shprehur të gatshëm të përfshihen gjerësisht në këtë betejë. Me modesti intelektuale, me një sens të jashtëzakonshem të skuadrës, kanë pranuar që të zbresin në listë, duke treguar se gara lidhet me idetë e përbashkëta për të shkuar përpara dhe jo me numrin renditës”, u shpreh Rama.
Njëkohësisht, kreu socialist ka sqaruar dhe lidhur me zgjedhjen e qarkut Vlorë për të garuar në 23 qershor.
“Kam vendosur të jem në krye në listën e Vlorës me një mesazh shumë të qartë jo për Vlorën, por për Tiranën, Shkodrën e Prishtinën, me mesazhin e kryeqytetit të pavarësimit të shtetit shqiptar dhe fillimit të rrugës së shtetit shqiptar, të domosdoshmërisë që të gjithë bashkë të rinisim rrugëtimin për të hapur me faqe të bardhë kapitullin e dytë të 100 vjetëve të dyta të shtetit tonë, që sapo fillon dhe s’mund të vazhdojë si inerci e 8 viteve rrënim skandaloz”, deklaroi Rama.