Zgjedhjet e 23 qershorit, sot nis zyrtarisht fushata elektorale
Sot ka nisur zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit. Partitë politike nuk kanë humbur asnjë minutë duke vendosur reklamat dhe banerat në rrugët e qyteteve, ku bëjnë thirrje për votën e zgjedhësve. Po sot partitë mund të nisin propagandën në televizione, duke publikuar reklamat e tyre.
Pavarësisht se 24 maji është dita zyrtare e nisjes së fushatës, mitingjet dhe takimet elektorale kanë nisur prej më shumë se dy muajsh.
Të gjitha partitë kanë prezantuar pothuajse në të gjithë qarqet kandidatët për deputetë. Fushata zgjedhore do të zgjasë për një muaj, deri më 21 qershor, të premten, deri në orën 24 të mbrëmjes.
Të shtunën, një ditë para ditës së votimit, asnjë parti nuk lejohet të bëjë propagandë politike dhe as më 23 qershor deri në momentin e mbylljes së procesit të votimit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u kërkoi një ditë më parë partive politike të respektojnë kodin zgjedhor, ndërsa nga ana tjetër u kërkoi televizioneve të repektojnë kohën televizive për çdo parti.