Me politikat e qeverisë kthyem bujkun në fermer

Kryesuesi i listës së kandidatëve të PD në Ebasan, Arben Imami zhvillon “townhall” me fermerët në Cërrik
“Program i Edi Ramës, në lidhje me taksën e re progresive që sipas Imamit “nuk është program për Rilindjen e Shqipërisë, por një projekt për varrosjen e ekonomisë së Shqipërisë”
Kandidati i Partisë Demokratike në qarkun e Elbasanit, Arben Imami gjatë një takimi me banorë të fshatit Murriqan, të Cërrikut, i shoqëruar edhe nga deputeti Luçano Boçi, ka vlerësuar arritjet e fermerëve në lidhje me investimet që këto kanë bërë në bujqësi por edhe në banesa. “Janë ndryshime të viteve të fundit falë politikave në mbështetje të zonave rurale nga ana e qeverisë Berisha. Pemtari, vreshtari ullishta si edhe heqja e TVSH për inputet bujqësore, vetëm në këtë mënyrë ne bëmë të mundur që fshati shqiptar të mos jetë fshati i baltës, ku fermerët prodhonin për veten e tyre, por afruam prodhimin me tregun, e kthyem bujkun në fermer”- u shpreh Imami. Ai theksoi se në qarkun e Elbasanit është i dukshëm ndryshimi, edhe në Malësitë përqark ka ndryshime të mëdha, në Gjinar, Kukur, Orenjë e Steblevë, sepse ka shkuar rruga, ku shkon rruga shkon përparimi, zhvillimi, ecën tregtia, ecën prodhimi. “Ky ishte vizoni i Sali Berishës para tetë vjetësh. Siç kemi bërë investimet në Murriqan do të bëhet e gjithë Shqipëria dhe të gjitha këto investime në rrugë rurale do të mbyllen katër vjeçarin e ardhshëm”, tha Imami. Edhe një herë ai u ndal tek programi i Edi Ramës, në lidhje me taksën e re progresive që sipas Imamit “nuk është program për Rilindjen e Shqipërisë, por një projekt për varrosjen e ekonomisë së Shqipërisë”. “Modeli i Edi Ramës është një rrezik i madh në Shqipëri, pasi nuk është i ndershëm. Ai duhet të thotë sesa e ka këtë taksë progresive. Modeli ynë u provua si i qëndrueshëm, kriza në Europë na ka prekur vetëm pak sepse Shqipëria qëndron, vazhdon investimet, shton vendet e punës, shohen rrogat, pensionet”- theksoi Imami. Ai vuri në dukje se mandatin e ardhshëm, s’do ketë arsimtarë me pagë nën 700 dollarë. “Sipas deklaratës së kryeministrit rroga e një mësuesi do të arrijë shifrën 700 dollarë dhe kjo u bë e mundur vetëm një taksë të ulët dhe të sheshtë”. Duke u ndalur te investimet, Imami theksoi ndërtimin e HEC-it të Banjës si dëshmi e klimës pozitive në Shqipëri, për investime dhe biznes. “Kompania më e madhe në botë është ajo norvegjeze e cila do të investojë në hidrocentralet e Banjës, kjo pikërisht për taksat e ulëta që gjeti, nëse do të rriten taksat nuk do të rriten investimet e huaja në Shqipëri”. Sipas tij, qeveria ia doli të dyfishojë buxhetin, duke ulur taksat dhe luftuar korrupsionin. “Ne bëmë të mundur që të mbahej një ekonomi kostante duke bërë më të thjesht terrenin për investimet e huaja, nga vitit 2008 e deri më sot të ardhurat e emigracionit janë ulur shumë, por ne kemi rritur në mënyrë galopante investimet e huaja në vend, duke e çuar në 1 miliard dollar në vitin 2009 e kështu do të vazhdojë në rritje deri në vitin 2017. Duket qartë se kjo është një diferencë e madhe duke bërë të mundur që Shqipëria i vetmi vend në rajon të ecë përpara e të shtojë prodhimin bujqësor. Ne jemi parti e fshatit dhe e qytetit, dhe jo ashtu si na akuzon opozita Parti Agrare, ne jemi parti që duam t’i shërbejmë këtij vendi edhe në fshat edhe në qytet. Ne ishim ata që ju kushtuam vëmendje ndërkohë që Edi Rama në vitin 2003 ishte gati duke vënë një taksë për të gjithë qytetarët që nuk ishin banorë të Tiranës. Kemi përmirësuar jetën tuaj, janë ulur importet nga Maqedonia për mallrat, janë shtuar eksportet drejt Malit të Zi, etj. Ne akoma kemi shumë rrugë për të bërë që të kemi një balancë tregtare për mallrat bujqësore që të eksportojmë aq sa importojmë dhe për këtë ka dy rrugë, rruga që e çan malin dhe e lidh Elbasanin me Tiranën, e lidh Shqipërinë me Europën, por ka edhe një rrugë tjetër që është rruga e kartonit të kuq që ngritën deputetët e Elbasanit kundër kësaj rruge, kundër Shqipërisë”, përfundoi Imami.